Pasagjeri tha se mund të dëgjonin breshërin ndërsa goditi aeroplanin – E dha një sinjal shqetësimi, por më pas u ul i sigurt në aeroportin e Vjenës
Një avion nga Palma, Majorca, u godit nga breshëri pasditen e së dielës, teksa po i afrohej Vjenës. “Sipas ekuipazhit, kjo stuhi nuk ishte e dukshme në radarët e motit,” shpjegoi kompania në një deklaratë për AFP.
Avioni lëshoi një sinjal shqetësimi, por më pas u ul i sigurt në aeroport. Gjatë këtij “incidenti i cili zgjati vetëm disa sekonda”, asnjë pasagjer nuk u lëndua. Pamjet televizive treguan një avion me të dy xhamat e kabinës së përparme që mbanin shenja përplasjeje, teksa në ‘hundën’ e avionit mungonin disa panele që ishin shkëputur.
“Mendoj se ishim rreth 20 minuta para uljes, kur u futëm në një re breshëri dhe stuhie dhe filluan turbulencat”, tha Emily Oakley, një pasagjere në fluturim, për ABC Neës përmes një mesazhi me tekst. Oakley tha se brenda kabinës, ata mund të dëgjonin breshërin teksa godiste avionin e tyre. “Padyshim që mund ta ndjenim breshërin duke goditur aeroplanin dhe ishte shumë i fortë”, shkroi Oakley .
Austria prej ditësh është përfshirë nga stuhi të forta, për të cilat nuk dihet fati i një personi. Një pensionist 77-vjeçar “i cili kishte shkuar me makinën e tij për të votuar në zgjedhjet evropiane” dje, të dielën, nuk është kthyer më në shtëpinë e tij në Misendorf (Austri lindore), tha sot policia. Kërkimi për të vijon.
Shiu i dendur ka goditur veçanërisht pjesën jugore të rajonit të Burgenland, në kufi me Slloveninë dhe Hungarinë, ku ka shkaktuar shumë dëme, duke shkaktuar dështimin e një dige, por i gjithë vendi është prekur në shkallë të ndryshme nga moti i keq. Rrugë të bllokuara, bodrume dhe fusha të përmbytura, më shumë se 2000 ndërhyrje të zjarrfikësve në rajone të ndryshme: reshjet e dendura të javëve të fundit kanë ngritur nivelin e lumenjve dhe liqeneve në nivele alarmante.
Në Styria (Austri juglindore), gjashtë qendra votimi u përmbytën ose ishin të paarritshme, sipas autoriteteve lokale të intervistuara nga AFP.