KAVAJË

Policia e Kavajës ka dhënë detaje për ngjarjen e sotme, ku një kalimtar humbi jetën dhe pesë të tjerë mbetën të plagosur.Sipas policisë, autorët e dyshuar të ngjarjes janë dy vëllezër, Marjus Aliaj dhe D. A, ndërsa janë bllokuar në cilësinë e provës materiale edhe dy automjete.

Fatmirësisht, raportohet  se pesë të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën dhe po mbahen në kujdesin intensiv të mjekëve. Sakaq, policia ka ndaluar njërin prej vëllezërve si të dyshuar për ngjarjen, ndërkohë vijon punën intesive për lokalizimin dhe kapjen e tjetrit. Për ngjarjen janë shoqëruar disa persona dhe po merren në pyetje.

“Sot rreth orës 12:30 në lagjen nr. 2 Kavajë, pas një konflikti mes disa personave, ka mbetur i vrarë shtetasi R. H., (kalimtar i rastit) dhe kanë mbetur të plagosur 5 shtetas, të cilët po marrin mjekim në spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve dhe janë vënë në ndjekje të njërit prej tyre. Për zbardhjen e plotë të ngjarjes u ngrit menjëherë një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorit të Rrethit dhe nga veprimet paraprake dyshohet se autorët e ngjarjes janë dy vëllezër, shtetasit M. A dhe D. A.

Shtetasi M. A (autori i dyshuar), mbahet në ruajtje nga shërbimet e Policisë në spitalin e Durrësit, pasi është i plagosur.

Policia është vënë në ndjekje të autorit tjetër, shtetasit D. A. dhe vijon krehja e zonës për kapjen e tij Policia ka bllokuar dy automjete që u përkasin pjesëtarëve të palëve që janë konfliktuar. Janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Kavajë disa persona dhe vijon puna për shoqërimin e personave të tjerë.Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”-njofton policia.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: