TIRANE-Në Shqipëri do të nisë nesër një takim rajonal në nivel ministrash të brendshëm për të diskutuar mbi cështjet që lidhen me radikalizmin e dhunshëm dhe koordinimin mes shteteve për të parandaluar dhe uftuar këtë fenomen.

Në takim, i cili pason atë të organizuar muajin e kaluar në Uashington nga Departamenti amerikan i Shtetit do të marrin pjesë 12 vende, ku përvec atyre të Ballkanit perëndimorë, do të jenë edhe shtete anëtarë të BE si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilat përfaqësohen nga Zv/Sekretarja amerikane e Shtetit për Sigurinë Civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut, Sarah Seëall.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ministri i Brendshëm shqiptar Saimir Tahiri flet rreth cështjeve që pritet të diskutohen në këtë takim dhe masave që vetë Shqipëria ka marrë

Z.Ministër çfarë përfaqëson takimi i nesërm i ministrave të Brendshëm?

“Pas samitit që u organizua në departamentin Amerikan të Shtetit në Uashington me asistencën e presidentit Obama, ku u adresuan çështjet e sfidës globale që kemi për tu përballur me ekstremizmin e dhunshëm, pasojmë me këtë Samit Rajonal të Ministrave të Brendshëm që organizohet në Shqipëri.

Kjo ka një vlerë simbolike jo vetëm për faktin që Shqipëria gjerësisht konsiderohet si një faktor i rëndësishëm në rajon dhe më gjerë për luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, por gjithashtu ka dhe vlerë për të vazhduar atë që kemi nisur lidhur me koordinimin e energjive dhe të forcës të agjencive ligjzbatuese në Shqipëri dhe në rajon për adresimin e këtyre çështjeve”.

Më konkretisht çfarë do të diskutohet në këtë samit, cilat do të jenë temat bazë?

“Ne kemi përcaktuar disa objektiva bazë që janë objektiva jo vetëm të Shqipërisë, janë objektiva jo vetëm të rajonit, por janë objektiva të të gjitha vendeve që janë bashkuar kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Së pari ne kemi rënë dakord që qasja ndaj terrorizmit duhet të jetë një qasje e përgjithshme dhe jo vetëm një qasje force. Pra, me qasje të përgjithshme kam parasysh përpjekjet që duhet të bëjmë për luftën kundër varfërisë, përpjekjet që duhet të bëjmë për luftën kundër injorancës dhe mungesës së arsimit, përpjekjet që duhet të bëjmë për forcimin e zhvillimit ekonomik në mënyrë të qëndrueshme, e pastaj sigurisht përpjekjet që duhet të bëjmë në kuadër të punës që bëjnë agjencitë ligjzbatuese që nga shkëmbimi informacionit deri tek aksionet e përbashkëta.

Ju e dini që rajoni nuk ka pak probleme nga çështjet e radikalizmit dhe më konkretisht problemet e kohëve të fundit lidhur me luftëtarët e huaj. Është një fenomen që jo pak ka shqetësuar autoritetet tona, jo pak ka shqetësuar edhe qytetarët, jo pak ka shqetësuar edhe fqinjët, por mbi të gjitha përbën një sfidë madhore për të gjithë ne që jemi rreshtuar në koalicionin e vlerave kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Masat që kemi marrë në Shqipëri, kanë çuar sot që flasim në zero numrin e personave që nisen për të marrë pjesë në një luftë që nuk është lufta jonë dhe me masa këtu kam parasysh ndryshimin e legjislacionit penal, kam parasysh edhe procedimet penale që kemi bërë pashkë me partnerët, por kjo është ende e pamjaftueshme për Shqipërinë, siç është ende e pamjaftueshme për rajonin.

Kështu që, ne kemi rënë dakord në këtë samit rajonal të bashkohemi dhe të bëjmë një agjendë pune të përbashkët të Shqipërisë dhe të vendeve të rajonit për të adresuar këtë sfidë në mënyrë të përbashkët, për të koordinuar hapat në mënyrë konkrete dhe për t’i konsideruar çështjet e secilit vend, si çështje të të gjithëve në mënyrë që nga njëra anë të shkëmbejmë informacion intensivisht dhe në kohë reale dhe nga ana tjetër ta adresojmë ekstremizmin e dhunshëm në mënyrë të përbashkët bashkë me partnerët Europian dhe sigurisht me Shtete e Bashkuara të Amerikës”.

Z. Ministër, janë bërë disa takime që pas atij të Uashingtonit, ju keni marrë pjesë në Beograd, në samitin në Austri a mjaftojnë këtë takime, ose më saktë këto takime si do të kthehen në veprime konkrete?

“Ne kemi filluar me veprimet konkrete, ndër primarët është sigurisht shkëmbimi informacionit. Kemi rënë dakord me vendet e rajonit, ashtu siç kemi rënë dakord me vendet e Bashkimit Europian dhe partnerët tanë në Bashkimin Europian dhe Shtete e Bashkuara të Amerikës që të fillojmë shkëmbimin e informacionit për qytetarët që lëvizin nga një vend në një vend tjetër duke aplikuar filtra të tillë, të cilët na lejojnë detektimin e atyre që janë në nisje apo në kthim nga një luftë që nuk është lufta jonë, por është luftë nga ato që shqetësojnë vendet e rajonit apo shqetësojnë botën në tërësi.

Kemi rënë dakord që të përpunojmë një seri masash preventive në raport me qasjen e kontrollit në pikat kufitare. Pra në qoftë se një vend si Shqipëria ka masa të përforcuara të kontrollit preventive në kufij dhe një vend marr shembull si Maqedonia ka qasje më të relaksuar në lidhje me lëvizjen e qytetarëve, kemi rënë dakord që të kemi një standard minimal për kontrollin preventiv të qytetarëve në mënyrë që nga njëra anë të shkëmbejmë informacion dhe nga ana tjetër të bëjmë të mundur parandalimin ose detektimin e atyre që nisen e vijnë nga një luftë si kjo që thashë.

Kemi rënë dakord për ngritjen e grupeve hetimore të përbashkëta dhe kemi filluar ngritjen e grupeve hetimore të përbashkëta. Një ndër to është sigurisht grupi hetimor që ka ngritur Shqipëria me Italinë dhe shtatë apo tetë vende të tjera të Bashkimit Europian sepse se mendojmë që veprimet hetimore të përbashkëta ndërmjet nesh dhe agjencive ligjzbatuese të tjera në Bashkimin Europian, me asistencën e ngushtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, na ndihmon që të kemi qasje holistike në raport me hetimet që duhet të kemi ndaj këtyre shtetasve.

Kemi rënë dakord për forcimin e agjencive ligjzbatuese dhe një shembull mjaft i mirë është “Drejtoria Antiterror” në Policinë e Shtetit, e cila sot është me e madhja në rajon jo vetëm për nga numri i oficerëve, jo vetëm për nga kapaciteti i mbledhjes së informacionit, por dhe për nga kapaciteti i aksioneve që mund të kryejë në Shqipëri dhe me ndihmën e partnerëve edhe në vende të tjera.

Kemi rëndë dakord që të shohim gjithashtu iniciativa të përbashkëta për përfshirjen e komuniteteve vendore, nga komunitetet e strukturuara fetare të cilat duhet të luajnë një rol dhe luajnë një rol themelore në diktimin e modelit të duhur të praktikimit të fesë, deri tek komunitetet vendore që mund të ndikojnë për ngritjen e mekanizmave parandalues, që qytetarë të ndryshëm të bien në praktika ekstremizmi”.

Duke kujtuar operacionin e para një viti ku u zbulua edhe celula që vepronte në Tiranë për rekrutim. Xhamia në të cilën ata vepronin ishte jashtë kontrollit të Komunitetit Mysliman. A keni sot informacione apo mbikëqyrje mbi struktura të tilla apo vende kulti të cilat nuk janë të regjistruara?

“Ne kemi një bashkëpunim shumë të shkëlqyer me Komunitetin Mysliman lidhur me strukturën zyrtare të praktikimit të fesë në Republikën e Shqipërisë. Edhe Komuniteti Mysliman ka ndihmuar me informacion lidhur me vende të praktikimit të fesë të cilat nuk janë të përfshira në katalogun zyrtar të praktikantëve të fesë në Republikën e Shqipërisë. Por ka ndhmuar dhe me sensibilizimin e praktikantëve të fesë me mënyrën vendin e lejuar, të shëndoshë po them, për praktimin e fesë, po ashtu edhe për evitimin në maksimum të vendeve të cilat nuk janë brenda kornizës ligjore, nuk janë brenda kornizës së praktikimit të fesë nga vetë Komuniteti Mysliman, por shpesh herë kanë shërbyer edhe si vende ku është kalitur edukata ekstremiste e praktimit të fesë. Kështu që kjo është një përpjekje e vazhdueshme.

Asnjë vend nuk është i lirë nga kërcënimi i ekstremizmit, kurrë nuk mund të themi që kjo është një sfidë që përballohet njëherë e mirë e pastaj nuk ke më probleme. Për sa kohë ka flukes ekstremizmi për cilëndo arsye, qoftë kjo fetare, qoftë kjo jofetare, gjithmonë do të ketë punë për agjencitë ligjzbatuese, por mbi të gjitha do të ketë punë për qytetarët, komunitetet lokale, komunitetet fetare. Sepse përpjekja për të adresuar ekstremizmin e dhunshme, cilado qoftë arsyeja e motivimit të tij, mbetet një përpjekje konstante e shoqërive në tërësi, dhe pastaj e qeverive dhe e agjencive ligjzbatuese”.

Një prej mjeteve që përdoret për rekrutime janë dhe rrjetet sociale. Madje kemi patur dhe rastet e të rinjve të cilët janë hetuar për të tjera çështje dhe është zbuluar se ato ndiqnin pikërisht aktivitete të tilla. A kanë strukturat tona një kontroll, një mbikëqyrje mbi aktivitetin në këto rrjete sociale?

“Njësia jonë e antiterrorit po zhvillon dhe kapacitetet e kontrollit në rrjete sociale lidhur me aktivitet rekrutimi ose aktivitet sensibilizimi, ose aktivitet ekstremizmi akoma edhe më radikal sesa kaq.

Sigurisht që kontrolli dhe lufta e ekstremizmit të dhunshëm në rrjetet sociale dhe në internet mbetet një sfidë shumë e vështirë jo vetëm për ne por edhe për vende shumë më të zhvilluara. Megjithatë, në strukturën e Drejtorisë së Antiterrorit, ne bashkë me partnerët po zhvillojmë këtë kapacitet për t’i dalë përpara në përpjekjes që bëjnë rrjetet e rekrutimit në internet për të pasur sukses në aktivitetin e tyre. E përsëris, gjithsesi kjo nuk është betejë që zhvillohet vetëm nga agjencitë ligjzbatuese. Aktivitetin kriminal, të thjeshtë po them, apo aktivitetin kriminal të ekstremistëve të dhunshëm, të cilët organizojnë aktivitet rekrutues në hapësirën e internetit nuk mund ta detektojnë vetëm njësitë shtetërore që merren me këtë punë, por ka shumë ndikim edhe qytetari që në mënyrë të pavarur apo me iniciativën e tij kryen një hulumtim të zakonshëm dhe në momentin që haset në të tillë përpjekje, raporton në agjencitë ligjzbatuese.

Gjithsesi, ne po zhvillojmë bashkë me partnerët, mekanizma parandalues apo detektimi paraprak, në rrjet, dhe gjithashtu ka një përpjekje të koordinuar të vendeve që i përkasin aleancës kundra ekstremizmit të dhunshëm, bashkë me kompanitë që ofrojnë këtë shërbim, pra kompanitë gjigante në treg që kanë një rrjet global të komunikimit në rrjetet sociale, sepse përfshirja e tyre, e vetë kompanive, përfshirja e qytetarëve si dhe e agjencive ligjzbatuese sjell më shumë efekt dhe më shumë rezultate në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm”.

(a.n/VOA/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: