SHKODËR

Një 24-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Shkodrës për veprën penale “armëmbajtje pa leje”. Ka qenë telefonata e banorëve që ka vënë në lëvizje policinë  e Shkodrës, e cila arriti të arrestojë në flagrancë shtetasin K. H. 24 vjeç, banues në fshatin Theth për prishje të qetësisë publike, ndërsa i riu kishte shkaktuar panik tek banorët dhe pushuesit.


Njoftimi i policisë:

Telefonata në 112 nga banorët dhe reagimi në kohë i Policisë vuri në pranga 24-vjeçarin për armëmbajtje pa leje dhe prishje të qetësisë publike, duke krijuar panik tek banorët dhe pushuesit.


Qëlloi me armë zjarri automatik në ajër, kapet në flagrancë nga Policia e Shkodrës, së bashku me armën kallashnikov, me një krehër me fishekë. Nga strukturat e policisë së Shkodrës, falë reagimit të shpejtë, u arrestua në flagrancë shtetasi K. H. 24 vjeç, banues në fshatin Theth, Shkodër.


Mbrëmjen e djeshme, në sallën operative të Policisë në numrin 112 ka ardhur telefonatë se në qendër të fshatit Theth, Shkodër një person po qëllonte me armë zjarri në ajër, duke krijuar panik te banorët dhe pushuesit. Shërbimet e Policisë kanë reaguar me shpejtësi e profesionalizëm dhe falë bashkëpunimit të banorëve, bënë të mundur identifikimin, lokalizimin dhe kapjen në flagrancë të 24-vjeçarit, bashkë me armën e zjarrit kallashnikov, me një krehër me fishekë.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Mbajtja pa leje armëve luftarake  dhe municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

(n.m/BalkanWeb)

Etiketa: