Forcat Demokratike të Sirisë në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë lajmëruar se pas 5 vitesh betejë, organizata terroriste ISIS është shkatërruar dhe të fundit mbështetës të ISIS u dorëzuan në Baghuz, një qytet që shtrihet në një zonë të shkretuar siriane, shkruan “The Guardian”.

ISIS kishte pasur luftimet e fundit me Forcat Demokratike të Sirisë (SDF) në qytetin e vogël oazë në lumin Eufrat dhe kishte vetëm 700 metër katror tokë tanimë nën uzurpim, pavarësisht përpjekjeve të ashpra të koalicionit.  Por të shtunën, një zëdhënës i SDF, Mustafa Bali, shkroi në Twitter se qyteti u çlirua. “Në këtë ditë festive, ne kujtojmë me mijëra martirë, që ranë për fitoren”, tha ai.

Anëtarët e koalicionit demokratik, mbështetur nga SHBA festuan me këngë dhe me gjuajtje me armë në ajër këtë fitore. Zhdukja e të ashtuquajturit “kalifat islamik” bën që të marrë fund ISIS, një ushtri terrori që vuri nën pushtim gati 8 milionë banorë në shtete të ndryshme në Lindje të Mesme, në Siri e Irak veçanërisht. ISIS në kulmin e fuqisë kishte pasur një territor gati sa Britania e Madhe.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb