TIRANË

Pas anulimit të testit për komisar dhe kryekomisar në nëntor të vitit të kaluar me pretendimin se gjatë konkursit pati parregullsi dhe pas ankimimit të më shumë se 200 konkurrentëve për këtë vendim, çështja u regjistrua në Prokurinë e Tiranës dhe hetimet nisën me akuzën “Shpërdorim detyre” për personat që mbikëqyrën testin në fjalë. Në kuadër të këtij hetimi prokuroria i ka lënë disa detyra SHÇBA.

Pothuajse të gjithë fituesit e testit të 7 nëntorit për gradën komisar dhe disa të tjerë që nuk rezultuan fitues në testin për gradën kryekomisar, i janë drejtuar me ankesë Komisionit të Apelimit dhe për këtë SHÇBA ka pyetur në mënyrë individuale çdo oficer policie që ka paraqitur ankesë, për të kuptuar arsyen e saj dhe për të mësuar nëse ankuesit kanë ndonjë dyshim për korrupsion për personat që u shpallën fitues.

SHÇBA do të verifikojë të gjitha veprimet e zinxhirit drejtues të Policisë, si dhe anëtarët e komisionit të gradave dhe personave që monitoruan testimin. Anulimi i testit për gradën komisar i kryer në 7 nëntor 2018 ndodhi me argumentin se janë gjetur parregullsi dhe shkelje të rënda proceduriale. Për të mos u përsëritur i njëjti fenomen, në konkursin për gradën kryekomisar përveç pyetjeve me alternativa u futën edhe ato me shkrim duke bërë që shumë kandidatë të kërkojnë rivlerësim të testit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb