TIRANE- Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, njëherësh ish- ministër i Shëndetësisë, Petrit Vasili e ka quajtur poshtërim testimin e mjekëve dhe infermierëve, duke këshilluar qeverinë dhe veçanërisht ministrin Beqaj, të tërhiqen nga kjo iniciativë.

Ndërsa duke komentuar përmbajtjen e testit, Vasili tha që ai ka rënë, pasi është joprofesional dhe i hartuar nga njerëz që nuk kanë lidhje me mjekësinë.

“Lidhur me këtë çështje, unë personalisht kam shprehur jo në një rast të vetëm, por në disa raste, kundërshtinë time lidhur me paligjshmërinë e testimit, i cili është një problem i rëndësishëm sepse tronditin atë që quhet çështja e legalitetit, veprimeve që ndërmarrim dhe ky është një problem parimor. Nuk besoj se në asnjë rast duhet të ndërmarrim veprime të cilat i kundërvihen legjislacionit në fuqi. Ndërsa përsa i takon procesit në pikëpamjen profesionale, sepse ky është thelbi i gjësë, me bërjen publike dhe të pyetjeve të testit, besoj që procesi ka rënë tashmë dhe me bërjen publik të këtyre pyetjeve. Sepse pyetjet nuk kanë lidhje me profesionin e mjekësisë. Kanë lidhje, sigurisht janë pyetje interesante për njerëz të cilët nuk merren me mjekësi. Sigurisht të tillë duhet të kenë qenë ata që i kanë përpiluar dhe kushdo që do t’i konsultonte do të kuptonte që janë pyetje, ndofta interesante për ju për t’u njohur me botën e mjekësisë, por nuk kanë lidhje me profesionist në radhë të parë të Qendrës Spitalore Universitare që do t’i nënshtrohet së pari, sepse pyetjet kanë edhe një dozë të lehtë humori brenda sepse janë pyetje dhe ju mund t’i ktheni përgjigjet e tyre. Sigurisht me shumë metaforë figurative, por me asnjë kuptim profesional. Thënë gjithë kjo, zgjidhja e vetme besoj, inteligjente por dhe gjakftohtë do të ishte një tërheqje e menjëhershme lidhur me këtë çështje dhe ecja përpara dhe perfeksionimi gjithnjë e më shumë i sistemit të edukimit në vazhdim pikërisht për të përmirësuar performancën e punës së personalitetit mjekësor, por absolutisht vëniet e tij në kushtet e paligjshmërisë dhe pse jo, të një poshtërimi profesional sepse ky nivel, dhe i testit të propozuar, demonstronte edhe atë që ishte dyshimi ynë i fortë i kahershëm, që degradimi profesional do të udhëhiqte dhe jo më profesionalizmi. Kështu që besoj që në një test të paligjshëm, tërheqja nga ai nuk është gjë tjetër veç se kthimi në normalitet dhe nuk ka lidhje me protestat. Protestat janë një reagim i fortë ndaj mospranimit, të refuzimit të dekualifikimit profesional sepse testi mund të konsiderohet jo një test kualifikues profesional, por një test dekualifikues profesional”,- u shpreh Vasili.

Më tej ai sqaroi se i ka konsumuar të gjitha rrugët institucionale për të shprehur kundërshtinë e tij në lidhje me këtë nismë.

“Unë kam detyrën të mbaj një pozicion në radhë të parë profesional përpara se sa politik, sepse testi synon te profesionalizmi. Dhe përderisa e konsideroj edhe në rang profesional një test dekualifikues, pra që ul kualitetin profesional, hapi i vetëm dhe i pashmangshëm është tërheqja, largimi nga një praktikë e tillë sepse profesionistët e mjekësisë, në radhë të parë ata të mjekësisë elitare, sepse Qendra Spitalore është në nivel terciar dhe këtë nivel ka, kërkojnë të tjera prerogativa për të ecur përpara dhe jo kthime të rënda dhe të rëndësishme pas, të cilat përveçse demotivojnë personelin mjekësor, nuk bëjnë asgjë tjetër dhe njëkohësisht publikun e gjerë e vë në vështirësi që duhet të përballet me profesionistë të niveleve të ulët të cilët duhet t’u përgjigjen, sipas asaj që morëm vesh, testeve që mund të jenë shumë të dobishme edhe për ju si gazetarë, por jo për profesionistë të mjekësisë”, nënvizoi Vasili.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: