Nga: OLA MITRE*
TIRANE – Nga testimi i infermierëve të sistemit spitalor do të përjashtohen tri kategori të veçanta. Gjithçka përcaktohet në urdhrin e ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, me numër 79 e që mban datën 12 shkurt 2015. “Gazeta Shqiptare” ka mundur të sigurojë një kopje të tij, ku ndër të tjera theksohet se nga procesi i vlerësimit të aftësive, për vitin 2015 do të përjashtohen infermieret femra të lindura përpara datës 1 janar 1958, infermierët meshkuj të lindur përpara datës 1 janar 1953 si dhe personeli infermieror, që është licencuar nga Urdhri i Infermierit pas datës 1 janar 2014. Dy kategoritë e para përjashtohen për shkak se janë në prag të pensionit e për pasojë, pas vlerësimit të njohurive, nuk do të kenë mundësi të ndjekin programet e edukimit në vazhdim, që do të financohen nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërkohë që, infermierët e licencuar përgjatë vitit 2014 e deri më tani, nuk do të futen në provim, pasi është shumë herët për të ritestuar njohuritë e tyre pas Provimit të Shtetit.
Datat
Ndërkaq, urdhri i ministrit përmban dhe kalendarin e plotë të datave, në të cilin do të zhvillohet provimi për personelin infermieror në kujdesin shëndetësor spitalor. Kështu, përcaktohet se për personelin infermieror, të punësuar në shërbimin spitalor universitar, procesi i vlerësimit do të kryhet në datat 28 shkurt dhe 1 mars 2015. Për personelin infermieror, të punësuar në shërbimin spitalor rajonal, procesi i vlerësimit do të kryhet në datën 6 mars 2015, ndërsa për të punësuarit në shërbimin spitalor bashkiak, procesi do të kryhet në datat 20 dhe 21 mars 2015.
Pyetjet
Ministria e Shëndetësisë tashmë ka publikuar dhe fondin e pyetjeve për vlerësimin e njohurive dhe aftësive të personelit infermieror në kujdesin shëndetësor. Ato janë të ndara në 16 kategori të ndryshme e më konkretisht: Aparati lokomotor, dekubituset, eliminimi, etika dhe komunikimi, gjumi dhe pushimi, infeksionet spitalore, lëngjet dhe elektrolitet, medikamentet, menaxhimi i dhimbjes, oksigjenimi, shenjat vitale – Siguria e pacientit, stresi, testet diagnostike, urgjenca, ushqyerja dhe higjiena e të tjera, ndërsa 1 ditë më parë, “Gazeta Shqiptare” publikoi të plotë fondin e këtyre pyetjeve. Testimit të njohurive pritet t’u nënshtrohen rreth 17 000 mjekë dhe infermierë, ndërkohë që në provim do të futen profesionistët e shëndetësisë të sistemit parësor dhe atij spitalor. Ai u cilësua si fyes dhe denigrues nga bluzat e bardha, por në momentin e publikimit të lajmit të testimit, ministri Beqaj sqaroi se qëllimi i këtij procesi nuk ishte penalizimi i bluzave të bardha për vendin e punës. Sipas tij, arsyeja kryesore e zhvillimit të këtij procesi është “fotografimi” i nivelit të profesionalizmit te profesionistët e shëndetësisë dhe më pas, në kuadër të programit të ri të ricertifikimit, që do të fillojë këtë vit, të hartohen kurse të edukimit në vazhdim, që janë në përputhje me nevojat konkrete për njohuri.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: