TIRANË- ‘Testimit të jashtëligjshëm që qeveria ndërmori për gjoja emërimet e mësuesve “i doli kallaji”!’ Kështu e ka nisur postimin e tij në rrjetin social Facebook, deputeti i PD, Luçiano  Boçi, i cili në këtë postim ka akuzuar qeverinë për reformën që ka ndërmarrë me mësuesit. Në vijim të idesë së tij në këtë postim, Boçi ka ironizuar testimin e mësuesve duke u shprehur se fituesit nuk u shpallën nga specialistët e ngarkuar, por sipas tij janë gardistët ata që përzgjedhin listën e fituesve ose që bëjnë një “korrigjim korrekt” të testit.  ‘Pas faktit të dalë publikisht se shumica e vendeve ishin emëruar sipas modelit “alla-Lushnja” nga Drejtorët politikë të urdhëruar politikisht dhe të nxitur materialisht, MAS organizoi maskaradën e testimeve. Për vetëm 7 vende në Tiranë u gënjyen 2000 mësues, për disa dhjetëra të tjerë, në Vlorë, Korçë, Sarandë, Shkodër, Fier, Berat u gënjyen mijëra të tjerë. U trumbetua “korrigjim korrekt”, i cili lëvizi sipas urdhrave të brendshëm nga 10% në 40%. Ata që dolën si të fituar do rrinë gjatë, shumë gjatë në listën e pritjes së hartuar politikisht dhe jo vetëm, përveç atyre që duhet të gjejnë “gardistin” e radhës. Sot doli qartë që dhe “korrigjimin korrekt” real, nuk e paskan bërë mësuesit e thirrur posaçërisht, por e kanë bërë “Truprojat”. Këto “Truproja”, kanë emra të ndryshëm: Gardisti, Partiaku, Qeveritari, Kushëriri etj…. Ato përcaktojnë gjithçka: renditjen e fituesit!!!!! Kjo është pamja e vërtetë e pseudo-reformës së kësaj qeverisje që pjell pseudo-testime e pseudo-emërime, si pjesë e Panairit të Mashtrimeve!

Mësues e qytetarë mos u gënjeni! Kundërshtoni testimin e paligjshëm, diskriminues dhe poshtërues që ndërmerret vetëm për qëllime të mbrapshta, kur ligji e përcakton qartë modalitetin emërimit të mësuesit dhe vlerësimit të punës së tij ndër vite!’-shkruan Boçi në postimin e tij në Facebook

(os.de/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: