TIRANE-Mjekët duhet të testohen. Kështu votoi shumica e lexuesve të BalkanWeb në sondazhin me temën “Ministria e Shëndetësisë ka vendosur testim për mjekët. Jeni dakort që mjekët duhet të testohen?”.
Mbi debatin e hapur për testimin e mjekëve, 67% ose e përkthyer në vota, 2 611 të tilla i thanë ‘Po’ testimit të mjekëve. Kurse 30%, u përgjigjën ‘Jo’. Ka një përqindje të vogël që nuk kanë dijeni rreth këtij debati dhe kanë votuar opsionin ‘Nuk e di’.

Sondazhi

Po (67%, 2 611 Vota)
Jo (30%, 1 186 Vota)
Nuk e di (3%, 125 Vota)

Vota Total: 3 922

Testimi i mjekëve ka hapur debat dhe brenda maxhorancës. Para dy ditësh, kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili u shpreh se kjo është ide e gabuar.

Rreth testimit të mjekëve në vend ka pasur shumë kundërshtime. Pas kontestimeve të shumta nga mjekët dhe infermierët për zhvillimin e testimit kombëtar, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, zhvilluan dje një takim me shefat e shërbimit të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura në ambientet e Fakultetit të Infermierisë, ndërsa ka zgjatur rreth 45 minuta, ku mjekët i kërkuan kryeministrit të testohen në anonimat.
Rreth 3 javë më parë, ministri Ilir Beqaj bëri me dije se mjekët dhe infermierët e sistemit parësor dhe atij spitalor do t’i nënshtroheshin një testimi kombëtar, ndërsa qëllimi i tij ishte ‘fotografimi’ i njohurive profesionale te bluzat e bardha. Por, kjo nismë nuk u mirëprit nga këta të fundit, të cilët, që në ditët e para të lançimit të saj e kundërshtuan. Po ashtu, disa profesorë ngritën pikëpyetje për faktin se kush do të mund t’i testonte ata specialistë që ushtrojnë këtë profesion prej vitesh.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb