TIRANE-Ministria e Shëndetësisë nuk do ta ketë të lehtë në zbatimin e nismës për testimin e mjekëve dhe infermierëve, pasi këta të fundit nuk e kanë mirëpritur duke shprehur qëndrimin e tyre kundër. Shumë prej tyre, disa hapur dhe disa të tjerë duke ruajtur anonimatin, kundërshtojnë t’i nënshtrohen testit me argumentin që kanë një përvojë të gjatë në punë dhe se i kanë plotësuar të gjitha kriteret e përcaktuara.

Ne ishim në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në kryeqytet dhe tentuam të kontaktonin me shefat e shërbimeve për secilin pavijon. Pjesa më e madhe e tyre na komunikuan që nuk kanë marrë asgjë konkrete nga Ministria e Shëndetësisë mbi skemën që do të aplikohet për testimin e bluzave të bardha, se çfarë i shërben kjo nismë dhe si do të veprohet pas marrjes së rezultateve. Për shefin e Shërbimit të Onkologjisë në QSUT, Agim Sallaku, testimi i shërben vlerësimit të mjekëve dhe infermierëve, por kjo gjë mund të bëhet edhe nëpërmjet krediteve të fituara në vite. Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë duhet të ishte konsultuar para se të ndërmerrte këtë vendim, pasi ka metoda të tjera që mund të aplikohen për të matur performancën e bluzave të bardha.

“Do të ishte e udhës të rishikohet programi i certifikimit të mjekëve, Ministria mund të ndryshojë afatin. P.sh. nëse aktualisht në pesë vite duhet të fitohen 150 kredite, ky prag mund të bëhet edhe dy vite me një numër të caktuar kreditesh”, tha Sallaku. Kundër këtij provimi u shpreh edhe shefja e pavijonit të hematologjisë, Tatjana Caja. Ndërsa nuk pranoi të argumentonte këtë qëndrim, ajo tha vetëm që është kundër nismës.

I kontaktuar po ashtu nga gazeta, shefi i Shërbimit të Infektivit, Dhimitër Kraja, tha se nuk ka asgjë konkrete mbi tavolinë që të mund ta komentojë. Kraja pohoi se nuk ka marrë asnjë material nga Ministria e Shëndetësisë mbi zhvillimin e këtij procesi që vetëm është komunikuar nga mediat. Të njëjtën gjë na komunikoi edhe shefi i Shërbimit të Nefrologjisë, Nestor Thereska. Sipas tij, ministria nuk ka dërguar asgjë konkrete se si do të procedohet. I pyetur nëse është pro apo kundër, Thereska tha se nuk e mbështet këtë iniciativë pasi nuk është e drejtë të testohen mjekë dhe infermierë që kanë mbi 20 apo 30 vite që ushtrojnë profesionin.

(d.b/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: