GJEORGJI- Autoritetet e Gjeorgjisë thonë se nga reshjet e mëdha dhe vërshimet gjatë natës në kryeqytetin Tbilisi, kanë humbur jetën tetë vetë dhe dhjetëra të tjera konsiderohen të zhdukur. Ajo që ra në sy dhe tërhoqi vëmendjen e mediave të huaja ishte dalja e kafshëve të egra si tigrat, luanët dhe ujqërit nga kopshti zoologjik duke rrezikuar jetën e qytetarëve.

Autoritetet vendase kanë arritur të kapin disa prej kafshëve, por shumë të tjera mbeten jashtë kontrollit. Rrjedhimisht, autoritetet kanë kërkuar që banorët e qytetit të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

Reshjet e mëdha kanë filluar dje duke bërë që lumi Vere të dalë nga shtrati, duke përmbytur dhjetëra ndërtesa dhe automobila, dhe duke i dëmtuar linjat e energjisë elektrike.

Presidenti i Gjeorgjisë ka ngushëlluar familjet e viktimave dhe ka premtuar fillim të shpejtë të procesit të rindërtimit. Ndërkaq, zyrtarë të qytetit kanë thënë se vlerësohet se dëmet janë afro 10 milionë dollarë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: