Ka dalë sot para gjykatës së Vlorës, monstra i Selenicës, Ritvan Zykaj autori i vrasjes së 8 personave.



I qetë, i çlirët para kamerës por edhe prokurorëve e gjyqtarëve të çështjes është shfaqur sot 24 vjeçari që gushtin e kaluar tronditi mbarë opinionin me krimin makabër që kreu. Ai ka befasuar sërish kur pyeti në nisje të seancës: Kur mund ta shoh veten në televizor?!”


Për Zykajn, Prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm, por vendimi ende nuk është dhënë, ndërsa në seancën e radhës, priteshin të merreshin në shqyrtim deklarimet e të afërmve të Ritvan Zykajt, deklarime të dhëna pas masakrës, deklarime që konfirmojnë Ritvan Zykajn autor të masakrës. Ndërkohë që aktualisht, sipas burimeve nga Prokuroria, konfirmohet se asnjë prej tyre nuk ndodhet aktualisht në Shqipëri, referuare dhe sistemit TIMS.

Në seancën e radhës, Zykaj ishte braktisur nga të gjithë, madje dhe nga avokatët e caktuar kryesisht, të cilët kanë munguar në sallë. Pyetur nga trupi gjykues dhe relatori Ervin Trashi, Ritvan Zykaj ka thënë vetëm fjalët: Nëse është e mundur, seanca të zhvillohet.

Por duke parë mungesën e avokatëve të caktuar kryesisht, Klajdi Mecaj, që ndodhej në Itali dhe Migjen Xhavara, i cili ndodhej në një seancë tjetër gjyqësore dhe referuar faktit se bëhet fjalë për një çështje që nuk mund të zhvillohet pa praninë e tyre, trupi gjykues i përbërë nga relator Ervin Trashi, Skander Haluci dhe Laurent Fucia, ka vendosur shtyrjen e seancës, duke vendosur zhvillimin e sa për në datë 17 qershor ora 14:00.

VRASJA
Masakra e Selenicës ndodhi në datë 10 gusht në fshatin Resulaj të Selenicës, ndërsa Ritvan Zykaj vrau me armë zjarri tetë persona, të afërm të tij, nga të cilët dy të mitur. Demir Zykaj 76 vjeç, Perri Zykaj 76-vjeç ; Besim Zykaj 45-vjeç (i biri), Vasilika Zykaj 40 vjeç (bashkëshorte e Besimit), Sara Zykaj 17 vjeçe (vajza e Besimit) Ledion Zykaj 6 vjeç (djali i Besimit); Azem Zykaj 49 vjeç (i biri), Afërdita Zykaj 47-vjeç (bashkëshorte e Azemit), ishin 8 personat që u vranë nga dora e Ritvan Zykajt.

Pasi kreu masakrën, Zykaj u arratis në fshat duke u kapur nga policia vetëm gjatë orëve të para të mëngjesit të 11 gushtit. Gjatë arratisë nisi komunikimet në rrjetin social “Facebook” madje sfidoi hapur edhe policinë, duke shënuar një precedent të rrallë. Edhe pas arrestimit, siç blutë e Vlorës konfirmojnë, autori i krimit nuk ka shfaqur pendesë. Pranoi krimin e kryer për shkak se sipas tij, e kishin akuzuar për vjedhjen e disa pulave. Më tej, ai kërkoi një avokat.

AUTORI FILMOI VIKTIMAT
Autori i krimit të 8-fishtë, Ritvan Zykaj, menjëherë pas vrasjes ka vënë në dijeni kushëririn e tij. Jo duke i telefonuar apo duke i shkruar diçka. Por duke i dërguar si provë një video. Pasi ka kryer krimin e rëndë, ai ka bërë një video. Ka filmuar një nga një viktimat të shtrira dhe ia ka dërguar videon djalit të hallës në “Facebook Messenger”.
Ai nga frika e ka fshirë videon menjëherë sapo e ka parë. I terrorizuar i ka thënë nënës së tij se çfarë kishte ndodhur. Mësohet se autori nuk i ka shkruar asgjë. Olardio Hoxha, 19-vjeçar, i ka treguar të gjitha këto në Polici, pasi ka qenë i pranishëm edhe ai me të ëmën te dreka ku ndodhej autori para krimit bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes, aty ku mësohet të jetë akuzuar “si hajdut pulash” nga njëra prej grave të familjes Zykaj, që më pas e vrau bashkë me 7 të tjerët.

(m.a/BalkanWeb)