Tetori është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, kur njerëzit në mbarë botën tregojnë mbështetjen e tyre për njerëzit e prekur nga kanceri i gjirit. E tillë është historia që po trajtohet sot në emisionin “Me Zemër të Hapur”, të moderatores dhe autores Evis Ahmeti. 55-vjeçarja Bona Hasanaj nga fshati Gjorm i qytetit të Vlorës, një grua e hekurt që më shumë buzëqeshje dhe shumë dashuri për jetën, për të bukuren, arriti të jetë sot një nga gratë shembull për sakrificat dhe sëmundjen e rëndë që po kalon.
Tragjeditë në familjen e saj do të kishin kulmin ditën kur bashkëshorti dhe burri që 55-vjeçarja Bona Hasanaj njohu në rininë e saj do të ndërronte jetë po nga sëmundja e kancerit. Bona dhe Hakiu lidhën jetën së bashku duke u bërë prindër të dy djemve që sot vuajnë mungesën e babait dhe sëmundjen që nëna e tyre po kalon.
Bona gjen forcë brenda vetes duke u shprehur se jeta është e bukur me të mirat dhe të këqijat e saj dhe pse boshllëku që lë pas në zemër largimi nga kjo bote e njerëzve të shtrenjtë është shumë i madh. Bona pas tre operacioneve ka gjetur forcë në një element shumë të rëndësishëm, duke ndjekur dhe pasionin që kishte që në fëmijëri dhe duke u bashkuar me grupin e këngës labe. Ajo ka kënduar në dhjetëra fshatra dhe ka marrë pjesë edhe në festival.
Bona gjen emocionet e munguara te kënga, veshja tradicionale, te harmonia dhe dashuria që pjesëtaret e grupit “Djemtë e Vlorës” i dhurojnë.
Ajo ka rrëfyer se në momentin e parë që mori vesh lajmin për sëmundjen, e para gjë që i shkoi në mendje ishin djemtë dhe mënyra se si ata do ta përjetonin.
55-vjeçarja tregon se lajmin e hidhur e ndau në fillim me motrën me të cilën ka një marrëdhënie shumë të ngushtë.
“Kjo sëmundje është përbindëshi i shekullit. Momentin kur mora vesh lajmin e para gjë që më shkoi në mendje ishin djemtë e mi, të cilin kishin humbur babanë. Lajmin e para e ndava me time motër. Optimizmin e gjeta në një pasion të fëmijërisë, te kënga labe”, u shpreh ajo.
(BalkanWeb)