Egnatia është duke vijuar përgatitjet intensive në kuadër të ndeshjes që do të kenë me Vllazninë ditën e enjte.
Një përbalje direkte që në kampin rrogozhinas duan ta kalojnë me sukses, duke eliminuar kështu nga gara një rival në garën për vendin e parë. Kampionët vijnë pas dy barazimesh, me Laçin e Tiranën, dhe një tjetër javë pa marrë fitoren do të ishte shumë për të besuarit e Tetovës. Ndaj, në njëfarë mënyre trepikëshi kthehet në detyrim, edhe për faktin se luajnë në shtëpi përballë tifozëve të tyre. Bilanci i këtij sezoni në tri ndeshjet e luajtura janë nga një fitore për secilën skuadër dhe një barazim, çka nënkupton se deri më tani skuadrat kanë qenë pa a shumë në të njëjtin nivel.
RIKTHIMI – Për këtë ndeshje, tekniku durrsak pret edhe rikthimin e ndonjë të dëmtuari dhe shpresat janë që Albani Aleksi të jetë së paku në pankinë. Mesfushori me eksperiencë ka dalë në stërvitje me skuadrën dhe mbetet për t’u vlerësuar gjendja e tij, ku dihet që për shkak të një dëmtimi ka javë që nuk luan, duke zhvilluar fazën e rikuperimit. Më konkretisht, për herë të fundit ka zbritur në fushë pikërisht në fitoren 2-0 ndaj Partizanit, e luajtur më 15 shkurt, ku ka luajtur gjithë ndeshjen.
Nga ajo kohë ka kaluar më shumë se një muaj dhe pesë ndeshje në kampionat nuk ka qenë i gatshëm për Tetovën, duke lënë një boshllëk jo të vogël në qendrën e mesit të fushës. Gjithsesi, deri të enjten kur të jetë dita e ndeshjes mbetet për t’u vlerësuar gjendja e tij. Në situatë të njëjtë janë edhe dy të dëmtuarit e tjerë, Renato Malota dhe Edison Ndreca, të cilët gjithashtu mungojnë prej javësh dhe gjasat janë që të vazhdojnë të bëjnë stop edhe përballë Vllaznisë. Pjesa tjetër e skuadrës duket në rregull, ku sigurisht dihet që kanë tri mungesa të sigurta për arsye kartonësh, si Alijev, Fangaj dhe Ujka.