“Po aq sa ka forca të interesuara që referendumi për ndryshimin e emrit të Maqedonisë të ketë sukses, ka edhe forca të tjera të cilëve nuk u intereson që Maqedonia të anëtarësohet në Nato” Deklarata vjen nga kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi gjatë një interviste për Diplomaticus të gazetarit Erion Kaçorri në televizionin News 24. Sipas Arifit numri i madh i vizitave të ndërkombëtarëve në Maqedoni ka të bëjë me faktin se komuniteti ndërkombëtar është i vetëdijshëm për rrezikun, është i vetëdijshëm se ka forca të cilat duan të kundërtën dhe bëjnë mirë që me këtë intensitet vizitojnë Shkupin.

“Problemi i emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë është një problem që e ndjek Maqedoninë që nga pavarësia dhe si rezultat i mos zgjidhjes së kësaj çështje vendi ka probleme në anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Prandaj edhe marrëveshja e Prespës është jashtëzakonisht e rëndësishme, ndërkombëtarisht e përshëndetur. Për vite me rradhë çështja e emrit është përdorur dhe keqpërdorur politikisht nga orientimet politike nacionaliste. Jam shumë e bindur që shumica e votuesit etnik maqedonas do ta ketë të qartë një fakt, që të gjitha ndryshimet pozitive kanë qenë dhe vazhdojne të jenë të mbështetura nga Bashkimi Europian dhe Nato dhe për këtë arsye edhe te pala maqedonase do të kemi shumicë pro referendumit” deklaron Teuta Arifi.

Sipas politikanes së njohur, Shqiptarët në Maqedoni kane qenë gjithmonë shumë të vetëdijshëm për faktin që kjo është një çështje e ndjeshme që kryesisht ka të bëjë edhe me ndjenjat e bashkëqytetarëve tanë maqedonas kështu që në këtë drejtim ne kemi qenë të interesuar që kjo situatë të tejkalohet për të mos penguar procesin e anëtarësimit në Nato dhe në Bashkimin Europian që është interes i përgjithshëm i Shqiptarëve të cilët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë një faktor shumë i rëndësishëm i stabilitetit të Maqedonisë. Shqiptarët vazhdojnë të jenë një faktor shumë i rëndësishëm i zhvillimit në Maqedoni deklaron për News 24 kryetarja e komunës së Tetoves Teuta

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb