Teuta fiton por nuk mjafton! “Djemtë e Detit” kanë synuar gjithçka për të zhbërë humbjen e pësuar në Letoni një javë më parë, por tre golat ishin një barrë shumë e rëndë për durrsakët, të cilët në “Niko Dovana” dhanë gjithçka, por nuk ia dolën dot.

Blendi Shkëmbi vendosi të ndryshojë diçka na ekipi që u shemb në Ventspils, ndaj ka ulur Prognin në stol, duke luajtur nga fillimi me dyshen sulmuese Bushiç-Nikaç. Lëvizjet japin efekt, pasi Teuta është shumë kërcënuese. Kroati Bushiç do të ndalet nga shtylla në minutën e 3-të, ndërsa në të 16-ën portieri Maknovski ndal gjuajtjen e Nikaç. Gjithsesi këmbëngulja e gjatë e durrsakëve do të shpërblehet me fillimin e pjesës së dytë, kur Sherif Kallaku mrekullon me veronikën e tij dhe shënon një gol të shkëlqyer që mbush me shpresë bregdetarët.

Më pas sfida zhvendoset e gjitha në kufijtë e zonës së Ventspilsit, me Teutën që rrethon kundërshtarin në kufijtë e 16 metrave, duke kërkuar me ngulm golin që do t’i hapte rrugën përmbysjes së madhe. Në minutën e 52-të Nikaç dështon ta shtyjë topin në rrjetë, ndërsa 7 minuta më pas është radha e Bushiç të bëjë të njëjtën gjë, duke mos shënuar. Dridhërima në minutën e 82-të për Ventspilsin, por Maknovski bën mrekullinë në gjuajtjen e Avdylit.

Me letonezët që nuk humbasin asnjë rast për të vonuar lojën, minutat rrëshkasin drejt fundit të takimit, aty ku Ventspils kërkon të bëjë dëm me goditjen e Kazaçoks, por Isli Hidi reagon mjaft mirë duke mbrojtur fitoren e durrsakëve, që gjithsesi nuk shmang dot eliminim e Teutës që në turin e parë eliminator të Ligës së Europës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb