Pas barazimit me Dinamon në shtëpi, Teuta shkon në Laç javën e 7-të. Kundërshtari mban vendin e fundit, por ky fakt ndoshta e bën edhe më të vështirtë këtë sfidë.

Trajneri Edi Martini ka humbur një titullar të rëndësishëm, siç është mbrojtësi Artan Jazxhi, i cili me kartonin e verdhë të marrë në fundin e ndeshjes me Dinamon ka plotësuar numrin 4 të tyre dhe është i skualifikuar.

Mungesa e Jazxhi është vërtet një problem, sepse Teuta deri tani ka vuajtur shumë në prapavijë. Durrsakët janë skuadra që ka pësuar më shumë gola në 6 javë kampionat, plot 11.

Stafi teknik duhet të zgjedhë lojtarin që do të zëvendësojë Jazxhi në Laç, ku Simeu me siguri do të luajë nga minuta e parë, pas asaj paraqitjeje shumë të mirë që bëri në ndeshjen e fundit.

Kujtojmë që mbrojtësi 23-vjeçar është shfaqur shpesh edhe si golashënues te Teuta. Në gjysmën e dytë të sezonit të shkuar dyshja Jazxhi-Gjini ishte një nga më të fortat e kampionatit.

SFIDA – Teuta nuk fiton prej dy ndeshjesh dhe në Laç do të bëjë gjithçka për të marrë 3 pikët. Nuk është se u ka ecur shumë “Djemve të detit” në fushën e kurbinasve, por për të shkuar në katet e sipërme të tabelës duhen patjetër trepikësha dhe trajneri Edi Martini e di mirë se çfarë duhet të bëjë. Gjatë këtyre ditëve dyshja Martini-Hodo është munduar të riparojë defektet që ka shfaqur skuadra, së pari për të mos pësuar aq lehtë. Në stërvitje kanë marrë pjesë të gjithë futbollistët dhe kjo është diçka pozitive për durrsakët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb