Te Teuta e dinë mirë se duhet të luftojnë fort në çdo centimetër të fushë në ndeshjen me Dinamon, ku kërkohet rikthimi te fitorja.

Edhe pse vinë nga një humbje dhe disa javësh pa fitore, durrsakët kanë motivimin e duhur për këtë sfidë, që luhet të shtunën në stadiumin “Elbasan Arena”. Teuta ka mbetur prapa rivalëve, por përpara ka edhe shumë kampionat, kështu që mjafton një fitore për të filluar ngjitjen.

Përballjen me Dinamon lojtarët dhe stafi i Teutës e konsiderojnë si momentin për të treguar forcën reale dhe për të lënë pas një herë e mirë ulje-ngritjet e deritanishme. Pavarësisht se zhvilloi një lojë të mirë në Shkodër ndaj Vllaznisë, skuadra e Martinit në fund doli pa pikë dhe ky fakt “djeg” nga njëra anë, por në anën tjetër jep besim për ndryshimin e situatës.

Sepse loja e mirë është baza për të pasur një ecuri pozitive. Hapësira e gabimit është ngushtuar shumë për Teutën, që ka humbur kontaktet me fitoren prej shumë javësh. Në ndeshjen e së shtunës me Dinamon pritet që skuadra të jetë më e plotë, por do të ketë një mungesë të madhe, siç është ajo e mbrojtësit Artan Jazxhi, i skualifikuar për shkak kartonësh këtë javë.

Trajneri Martini duhet të gjejë lojtarin më të përshtatshëm për të zëvendësuar liderin e prapavijës, ku javët e fundit ka munguar edhe Simeu për shkak dëmtimi. Marku dhe Kotobelli me shumë mundësi do të jenë në qendër. Pritet që këtë fundjavë të kthehet Emiljano Vila.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb