SARAJEVE – Në Sarajevë ka filluar punimet Samiti 100, një nismë që mbledhë afaristë nga rajoni, dhe që i paraprinë Samitit të Bërdo-Brionit, të Presidentëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në Sarajevë për herë të parë në këtë nivel merr pjesë edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ftesën e ka pranuar edhe presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç.

Në Sarajevë të Bosnjë Hercegovinës, ka filluar punimet Samiti 100, një nismë për nxitjen e bashkëpunimit në fushën e zhvillimit ekonomik ndërmjet vendeve të rajonit të Ballkanit. Moto e Samitit 100, që zhvillon punimet prej 27 deri më 29 maj dhe që mbledhë afaristë nga të gjitha shtetet e rajonit të Ballkanit, “Marrëveshja për një Epokë të re” është tejkalimi i dallimeve dhe përkushtimi për projektet që integrojnë ekonomitë e vendeve të rajonit.

Samiti 100 është nismë që përpara 5 vjetësh u nis nga Asociacioni i Menaxherëve të Serbisë, Lidhja e Punëdhënësve të Kroacisë dhe Lidhja e Menaxherëve të Sllovenisë si dhe Fondacioni Atllas nga Mali i Zi. Kësaj nisme i janë bashkuar edhe afaristë nga vendet e tjera përfshirë edhe Kosovën.

Në punimet e Samitit u tha se “ka ardhur koha që vendet e rajonit ta kuptojnë se janë mundësi e mirë për njëra tjetrën dhe jo rrezik”. Gjatë ditës së shtunë në punimet e këtij Samiti morën pjesë edhe presidentët e vendeve të rajonit, që do të zhvillojnë takimin e tyre në kuadër të Procesit të Bërdo-Brionit.

Mikpritësi i sivjetshëm i nismës për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe të nxitjes së dialogut të vendeve të rajonit me BE-në, është Presidenca e Bosnjë Hercegovinës ndërkohë që është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e Presidentes së Kroacisë Kolinda Grabar Kitaroviç dhe i Sllovenisë Borut Pahor, dy vende anëtare të BE-së që kanë nisur edhe gjithë procesin e Bërdo-Brioni.

Pjesëmarrjen e tij e ka konfirmuar Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërkohë që organizatorët kanë thënë se edhe President i Serbisë, Tomisllav Nikoliç, e ka konfirmuar ardhjen e tij në Sarajevë. Ndryshe thuhet se Presidenti serb, Nikoliç, do të qëndrojë për herë të parë në Sarajevë që prej marrjes së mandatit të presidentit.

Në Samit merr pjesë edhe president ii Shqipërisë Bujar Nishani, i Maqedonisë, Gjorge Ivanov dhe ai i Malit të Zi Filip Vujanoviç.

Këtë vit mysafir nderi është Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella.
Në margjina të Samitit janë paraparë edhe takime të presidentëve të cilët do të bisedojnë për çështjet e hapura ndërmjet vendeve të tyre kurse vetë Samiti do të trajtojë temat e bashkëpunimit rajonal integrimeve euroatlantike dhe normalizimit të marrëdhënieve. (rel)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb