Pjesë e fjalimit në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Edi Rama ka bërë edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe atë që po ndodh me krerët e UÇK në Hagë.

Kryeministri theksoi se pa Hashim Thaçin e shokët e tij, që udhëtuan bashkë me Ibrahim Rugovën, Rexhep Qosen e të tjerët, për të takuar historinë e re të shqiptarëve këtej bjeshkëve, nuk e dimë dot çfarë rruge do të kishte marrë fati i Kosovës në hyrje të këtij shekulli.

“Ku janë sot përfaqësuesit e UÇK që Rexhep Qosja i kërkoi në atë udhëtim. Ne dimë me siguri, se ato çaste vendimmarrjesh të mëdha dhe e sotmja do t’i ngjante të shkuarës, pa UÇK, me në krye Hashim Thaçin. Sot që jemi të gjithë këtu, në Kuvendin ku u shpall dhe u firmos pavarësia e Kosovës, Thaçi, Veseli, Krasniqi, Seli mbahen penga prej gati 5 vjetësh, në qelitë e një gjykate ndërkombëtare. Unë, as nuk e kam diskutuar asnjëherë të drejtën e asaj gjykate, për të bërë punën. Është nyja e mbledhur në fyt, se ai proces është proces i parregullt ligjor. Gjykata është e pavarur, por standardet nuk janë të pavarura nga gjykatësit”, theksoi ai.

 

Pjesë nga fjala e Ramës

E risolla këtë paragraf nga fjala ime e këtushme dhjetë vjet më parë, sepse më mahnit aktualiteti i atyre rreshtave prej prijësi shpirtëror, pa asnjë pushtet tjetër përveç pushtetit të fjalës, të cilat Rexhep Qosja i pat shqiptuar në ato çaste vendimmarrjesh të mëdha për Kosovën e për kombin shqiptar. Po ku janë sot përfaqësuesit e UÇK- së që Rexhep Qosja kërkonte me patjetër në atë udhëtim historik?

Pa Hashim Thaçin e shokët e tij, që udhëtuan bashkë me Ibrahim Rugovën, Rexhep Qosen e të tjerët, për të takuar historinë e re të shqiptarëve këtej bjeshkëve, nuk e dimë dot çfarë rruge do të kishte marrë fati i Kosovës në hyrje të këtij shekulli. Por çfarë dimë me siguri është që ato çaste vendimmarrjesh të mëdha nuk do të kishin ardhur dot ashtu siç erdhën dhe mbase e sotmja do t’i ngjante më shumë të shkuarës sesa të ardhmes, pa ushtrinë Çlirimtare të Kosovës me në krye Hashim Thaçin.

Por sot që ne jemi të gjithë këtu, në Kuvendin ku u shpall e firmos këtu përpara meje pavarësia e Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, vazhdojnë të mbahen peng, prej gati 5 vjetësh, në qelitë e një drejtësie ndërkombëtare, e cila, në çdo hap, ka zhgënjyer këdo që ka pritur prej saj, virtytet e drejtësisë së një shteti të së drejtës.

Unë as nuk e kam diskutuar ndonjëherë dhe nuk e diskutoj as sot, të drejtën e asaj Gjykatës Speciale për të bërë punën që ia ka ngarkuar vendimmarrja e kësaj salle, ku vetë Hashimi e ka ngritur dorën për formimin e asaj gjykate. Por ajo që unë nuk vij dot deri këtu në Prishtine, të marr fjalën e pastaj ta gëlltis në heshtje në këtë foltore përpara jush, në mungesë të Hashimit, në mungesë të Kadriut, në mungesë të Jakupit, në mungesë të Rexhepit, – është nyja e mbledhur në fyt prej dyshimit të madh, e krejt i arsyeshëm, për fat të keq, se ai proces është një proces i parregullt ligjor dhe se normat dhe standardet e tij janë nën standardet e drejtësisë të të gjitha vendeve demokratike që e financojnë atë farë gjykate.

Unë nuk rri dot po ashtu, pa ua thënë këtu vëllazërisht çudinë time për faktin që në këtë sallë nuk është ndërmarrë asnjëherë një nisëm për t’ju kërkuar përmes një rezolute të mbështetur nga të gjitha forcat politike, të paktën nga partitë shqiptare, të gjitha vendeve financuese të asaj gjykate shqetësimin e madh mbi standardet e atij procesi dhe për të kërkuar ngritjen e një misioni verifikimi lidhur me këtë shqetësim.

Gjykata është e pavarur, por standardet nuk janë të varura nga gjykatësit. Ndoshta ky shqetësim gjerësisht i përhapur mund të mos qëndrojë, por nëse qëndron atëherë kjo është një gjëmë e madhe. Jo për ata 4 njerëz të thjeshtë, as vetëm për Republikën e Kosovës por për vetë integritetin e drejtësisë ndërkombëtare, së cilës kjo Republikë përmes përfaqësuesve të saj në këtë sallë ja dha në mirëbesim gjykimin e historisë që lindi Republikën dhe prandaj nuk mund të lihet, sipas meje, në heshtjen shurdhuese që ushqehet prej gjithfarë motivesh nga më fisniket, deri tek më politiket që ajo gjëmë, nëse është gjëmë, ta bëjë demin e vet deri në fund.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb