Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i tha Zërit të Amerikës se qeveritë mund të vijnë dhe të shkojnë, por marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian nuk do të cenohen asnjëherë.

Thaçi: Marrëdhëniet e Kosovës me SHBA dhe BE nuk do të cenohen asnjëherë. Presidenti Thaçi i bëri këto komente në një bisedë me Zërin e Amerikës në Iowa ku vizitoi Gardën Kombëtare, Asamblenë e Përgjithshme të këtij shteti amerikan, takoi guvernatoren, Kim Reynolds si dhe studentet nga Kosova.

Presidenti Thaçi tha se pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit, Kosova duhet të formojë shpejt një qeveri të re, që do të përballet me sfidat që e presin vendin.

“Por fillimisht do të jenë prioritetet e brendshme e pastaj do të diskutohet edhe për mundësinë e tejkalimit të të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut, që të mos jetë pengesë as Kosova e as Serbia”, tha ai. Bisedimet janë pezulluar që nga nëntori i vitit të kaluar kur Kosova u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes së Serbisë ndaj shtetësisë së saj. Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave. Presidenti Thaçi tha se duhet një debat i brendshëm sa u përket tarifave në të cilën duhet të përfshihen edhe partitë politike, qeveria, parlamenti dhe shoqëria e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar në vazhdimësi pezullimin e tarifave, ndërsa Bashkimi Evropian heqjen e tyre për të rihapur bisedimet me Serbinë, por qeveria në largim e Kosovës i ka rezistuar kësaj trysnie duke nxitur shqetësime për cenimin e marrëdhënieve me aleatët e saj…

“Qeveritë mund të vijnë dhe mund të shkojnë, por raportet tona me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian nuk do të cenohen asnjëherë”, tha presidenti Thaçi. Ai beson së emërimi i zotit Mathew Palmer si i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor është mesazh i qartë se Shtetet e Bashkuara do të jenë aktive në rajon dhe në procesin e bisedimeve Kosovë Serbi. Zoti Palmer i tha këtë javë Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara duan një zgjidhje që të jetë në pronësi lokale, që të jetë e qëndrueshme dhe e pranueshme për të dyja palët.

Presidenti Thaçi tha se vetëm një marrëveshje që çon në njohje të ndërsjellë ka kuptim për popullin e Kosovës…

“Natyrisht se në kuadër të dialogut dhe negociatave që do të zhvillohen do të ketë opinione të ndryshme të cilat unë mendoj se në fund do të rezultojnë më një marrëveshje përfundimtare historike me njohje reciproke”, tha ai.

Presidenti Thaçi tha se asnjëherë nuk ka qenë në tryezën e bisedimeve mundësia e ndryshimit të kufijve, ide që ishin hedhur në verën e vitit të kaluar si mundësi për të arritur një marrëveshje ndërmjet palëve. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka theksuar se angazhohet për një vënie kufiri ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, që nënkupton ndarjen e Kosovës, ndërsa presidenti Thaçi kishte hedhur idenë për korrigjim kufiri që nënkupton sipas tij, bashkimin me Kosovën të Luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptarë në jug të Serbisë.

“Kurrë nuk ka qenë në tryezë ndryshimi i kufijve. Integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm. Të gjithë ata që kanë folur për ndryshim të kufijve të Kosovës kanë prezantuar një mashtrim për opinionin publik me karakter elektoral. Territori i Kosovës është i paprekshëm. Por unë gjithmonë respektoj të drejtën e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit që t’i bashkëngjiten Republikës së Kosovës, pa u cenuar asnjë centimetër i territorit të Kosovës. Të gjitha opinionet tjera janë gënjeshtra”, tha ai.

Vazhdimi i bisedimeve mund të pritet pas zgjedhjeve në Kosovë dhe diplomatët shpresojnë që kjo të ndodhë para se Serbia të hyjë në periudhën e zgjedhjeve që mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: