KOSOVE

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një shkrim ekskluziv për numrin festiv të gazetës “Zëri”, ka thënë që izolimi që është duke i`u bërë Kosovës është i padrejtë.

Me këtë rast ai ka përmendur edhe dështimin e liberalizimit të vizave për këtë vit për qytetarët e Kosovës.

“Edhe pse në kohë festash, megjithatë duhet rikujtuar një pjesë jo të këndshme të një viti intensiv. Izolimi që po i bëhet Kosovës është tërësisht i padrejtë. Por, pavarësisht vështirësive dhe pavarësisht padrejtësive që po na bëhen, posaçërisht në procesin e liberalizimit të vizave, ne si vend qëndrojmë të palëkundur në orientimin tone”, ka shkruar Thaçi.

Po ashtu presidenti ka përmendur edhe “luftën”, e Serbisë për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Edhe lufta e pashembullt që shteti serb, nën përdorimin e gjithë aparatit shtetëror, po e bënë për të penguar integrimin e Kosovës në organizata dhe në nisma ndërkombëtare, i ka dhënë një dimension tjetër pozicionit tonë ndërkombëtar dhe natyrisht edhe rrugës nëpër të cilën po kalon dhe duhet të kalojë vendi ynë”, ka thënë ai.

Ndërsa për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, ai ka potencuar që është e domosdoshme intensifikimi i bisedimeve në mes të dy vendeve.

“E kam theksuar shpesh gjatë këtij viti domosdoshmërinë e një marrëveshjeje finale me Serbinë. Prandaj, nevoja e intensifikimit të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, që do të kulmonte me një marrëveshje finale mes dy shteteve, është bërë pikë reference dhe po merr mbështetje të fuqishme nga të gjithë miqtë e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Së fundmi, një mbështetje e madhe për arritjen e kësaj marrëveshjeje na erdhi direkt edhe nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump”, thuhet në shkrimin e presidentit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb