Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur sërish për mundësinë, siç e ka quajtur ai, të korrigjimit të kufirit me Serbinë, gjatë procesit të ardhshëm të dialogut.

Këto komente, Thaçi i bëri pas vizitës në Odën Ekonomike të Kosovës.
Ai tha se përfaqësuesit e komunave Preshevë, Bujanoc e Medvegjë e kanë shprehur vullnetin e tyre që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës, andaj sipas tij, nëse ka pajtueshmërinë dialog, kjo pjesë do të mund t’i bashkohej Kosovës.

“Kemi rreth 400 kilometra të kufirit me Serbinë që duhet të shënjohen dhe pa demarkacionin me Serbinë nuk mund të përmbyllet procesi i shtet-formimit dhe konsolidimit”, tha Thaçi.

“Për këtë arsye do të diskutohet për demarkacionin, për korrigjimin e kufijve dhe në kuadër të korrigjimit të kufijve, në asnjë rrethanë, për asnjë çmim nuk do të mund të imponohet realizimi i aspiratës serbe për ndarje të Kosovës. Ndërkaq mendoj se është shumë e realizueshme, e pranueshme nga ana e jonë, kërkesa e institucionalizuar e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës për t’u bashkuar me Kosovën”, theksoi presidenti Thaçi.

“Nëse ka marrëveshje apo pajtueshmëri të dyanshme (në dialogun me Serbinë) askush nuk do të dilte kundër një marrëveshje të dyanshme, pra as nga Bashkimi Evropian, as SHBA apo NATO”, tha Thaçi, raporton rel.

Sipas tij, “korrigjim të kufijve do të ketë, por asesi ndarje të Kosovës”.
Ai tha se pret që nga fundi i muajit gusht dhe fillimi i shtatorit dialogu të dinamizohet nën lehtësimin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb