Qyteti i Krumës ka nderuar presidentin e Kosovës Hashim Thaçi me dekoratën “Qytetar nderi”. Thaçi në fjalën e tij u shpreh se do të vijë një ditë që Shqipëria e Kosova do të bëhen një.


Presidenti Thaçi tha se do të vazhdojë përkushtimin e tij, që ai e quajti jetësor për bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, me territorin e Republikës së Kosovës. Thaçi tha se Lugina do t’i bashkohet Kosovës pa u cenuar asnjë milimetër e territorit të Republikës së Kosovës, pa u prekur Ujmani e Trepça. Në Krumë, Thaçi u tha qytetarëve të Hasit, se shqiptarët jetojnë të ndarë me kufi padrejtësisht, raporton KP.


“Ju keni qenë bashkërisht në istikamet e luftës dhe bashkërisht do të jetojmë në liri, dhe bashkërisht do të jetojmë në të ardhmen e afërt në një shtet të përbashkët Kosovë-Shqipëri. Të jeni të sigurtë që shumë e lehtë është realizmi i ëndrrës që të kemi një hapësirë pa kufi mes Kosovës dhe Shqipërisë, sesa që ka qenë sfida e largimit të Serbisë nga Kosova dhe kjo do të ndodh… Ju e dini botërisht dhe e ritheksoj edhe sot këtu në mesin e burrave të Hasit dhe grave, zotimin tim dhe përkushtimin tim jetësor që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci t’i bashkëngjiten territorit të Republikës së Kosovës pa u cenuar asnjë milimetër e territorit të Republikës së Kosovës, as Trepça, as Ujmani, as Mitrovica, asnjë cep i territorit të Kosovës si parakusht për bashkim kombëtar”, tha ai.


Thaçi tha se misioni i Kosovës për liri dhe pavarësi është i pamjaftueshëm dhe se shqiptarët janë ndarë padrejtësisht e tani duhet të bashkohen me vullnet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb