PRISHTINE – Në një intervistë për të përditshmen turke, “Yeni Şafak”, zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur edhe për lidhjen e shqiptarëve dhe turqve sa i përket botës së futbollit. Thaçi kujtoi se një ndër ekipet më të mira në Turqi, Galatasaray, është themeluar nga një shqiptar, djali i intelektualit Sami Frashëri.
“Kosova sapo është lejuar të luaj futboll ndërkombëtar dhe njëra prej miqësoreve të para që kemi luajtur në Prishtinë ka qenë me Turqinë. Ne humbëm, por dhjetëra mijëra të rinj ishin aty të shohin miqësisht dy skuadrat tona. Edhe lidhja jonë sportive daton herët. Një ekip i juaji, Galatasaray është themeluar nga një shqiptar, nga djali i intelektualit Sami Frashëri që ju e njihni si Semseddin Sami. Pastaj edhe selektori kombëtar i Kosovës ka luajtur në Turqi në rininë e vet. Tash Kosova është pranuar para disa javësh edhe nga Komiteti Ndërkombëtar Olimpik dhe ne dëshirojmë t’i thellojmë edhe marrëdhëniet në sport”, – deklaroi Thaçi.
Ndër të tjera ministri i Jashtëm i Kosovës theksoi se bizneset turke janë prezente në Kosovë dhe se ambasada e Turqisë është shumë aktive në promovimin e lidhjeve të biznesit mes dy shteteve.
“Ne kemi pasur një koncesionim të suksesshëm të aeroportit ndërkombëtar në Prishtinë, që mban emrin e heroit “Adem Jashari” dhe një tjetër në sektorin e energjisë. Kosova ka ndërtuar edhe autostradë moderne nga një konsorcium amerikano-turk dhe i mirëpresim edhe investitorët e rinj”, – ka thënë Thaçi.
“Ne jemi mirënjohës për këtë mbështetje të madhe në lobimin për njohjen e Kosovës, në shkëmbimet akademike dhe në investimet e deritashme. Kemi bashkëpunuar edhe në luftimin e terrorizmit dhe radikalizmit fetar, kurse shërbimet tona të sigurisë kanë një bashkëpunim shumë të mirë. Edhe kryeministri Davutoğlu është një mik i vjetër i Kosovës dhe ne do ta forcojmë edhe më shumë bashkëpunimin që kemi dhe shpresojmë se Turqia do të përdorë edhe më tej ndikimin e vet në shumë shtete të botës, që Kosova të njihet edhe prej shteteve që ende nuk është njohur”, – ka theksuar Thaçi.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: