KOSOVË-Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të vizitës zyrtare në Kroaci, ka realizuar një intervistë edhe me televizionin publik kroat, HRT.
Thaçi ka rikujtuar se kosovarët si evropianë të rinj dhe tejet të talentuar po arrijnë suksese të mëdha ndërkombëtare si në muzikë, sport apo në kinematografi.
Ai ka përmendur yllin e muzikës me famë botërore, prishtinasen Rita Ora, xhudisten pejane Majlinda Kelmendin, ndërsa ka thënë se gjysma e futbollistëve të kombëtareve të Shqipërisë dhe Zvicrës janë nga Kosova.
Thaçi në intervistën e tij për HRT ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar ka hapur portat për përshpejtimin e ndërkombëtarizimit të plotë të sportit kosovar.
“Shpresoj që së shpejti do të bëhemi anëtarë të UEFA-s dhe FIFA-s, pas kësaj ju paralajmëroj spektakle futbollistike, në një të ardhme të afërt, në Zagreb dhe Prishtinë. Dihet se shumë futbollistë kosovarë kanë luajtur në Dinamon e Zagrebit, Hajdukun e Splitit dhe në Rijekë”,- ka përfunduar Thaçi.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: