KOSOVË-Pas njoftimit të presidentes Atifdete Jahjaga se në orët e mbrëmjes ka takuar kryeministrin kosovar, Isa Mustafa dhe zv/kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, ku siç tha kanë biseduar për Gjykatën Speciale, ka reaguar zyra e zv/kryeministrit Thaçi, e cila ka përgënjestëruar njoftimin e Presidentes se në takim është biseduar për Gjykatën Speciale.
Sipas komunikatës së MPJ-së, krerët shtetërorë kosovarë nuk kanë biseduar për Gjykatën Speciale, por për përfaqësimin e Kosovës në Asamblenë e OKB-së.

“Zyra e Zëvendëskryeministrit të Parë të Qeverisë së Republikës së Kosovës njofton opinionin se deklarata e lëshuar sonte nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës se në takimin e mbajtur në mbrëmje në mes të Kryeministrit, z.Isa Mustafa, Zëvendëskryeministrit, z. Hashim Thaçi dhe Presidentes, Znj.Atifete Jahjaga, është diskutuar për Gjykatën Speciale, nuk qëndron”, thuhet në njoftimin e MPJ.

“ Takimi nuk ka pasur fare të bëjë me Gjykatën Speciale por ka qenë temë diskutimi vetëm përfaqësimi i Kosovës në Asamblenë e OKB-së, pas insistimit të presidentes që ajo ta udhëheq delegacionin kosovar, si dhe ndryshimet në Ligjin për Benificionet e Ish Zyrtarëve të Lartë Shtetërorë pas përfundimit të mandatit. Për çështje të tjera, e theksojmë edhe një herë, nuk është diskutuar”, thuhet në njoftim.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb