Pavarësisht kërkesave nga shumë kategori të sektorit publik për mos nënshkrimin e Ligjit për Paga nga ana e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ky i fundit ka vendosur që të mos ua plotësojë këto kërkesa.

Thaçi ka zgjedhur që ky Ligj të hyjë në fuqi në mënyrë të heshtur, duke mos e dekretuar e as kthyer mbrapa në Kuvend. Kështu kanë thënë për Telegrafin nga zyra për Informim e Presidencës.

“Projektligji për Pagat nuk është dekretuar nga Presidenti, por pas përfundimit të afatit ligjor ka hyrë në mënyrë të heshtur në fuqi. Zyra e Presidentit ka marrë premtime nga sponsorët e këtij projektligji, se do t’i marrin parasysh të gjitha shqetësimet e paraqitura dhe në të ardhmen e afërt do t’i bëjnë plotësimet dhe ndryshimet e nevojshme”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Informimit të Presidencës.

Kushtetuta e Kosovës, sikundër edhe Rregullorja e Punës së Kuvendit e parasheh që ligji hyn në fuqi në rastet e tilla.

“Nëse Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda tetë (8) ditësh pas marrjes së ligjit, nuk merr asnjë vendim për shpalljen ose kthimin e tij, ligji konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e saj/tij dhe publikohet në Fletoren Zyrtare”, thuhet në Kushtetutë.

Në rast se presidenti Thaçi do ta kthente këtë Ligj mbrapa në Kuvend, atëherë do t’i duhej të jepte versionin e tij për çdo nen të kontestuar.
Rregullorja e Punës së Kuvendit e parasheh që kur ligji kthehet nga presidenti për rishqyrtim, atëherë Kryesia e Kuvendit ia dërgon atë komisionit funksional raportues për shqyrtim.

Ky komision i shqyrton vetëm çështjet që i përmban vendimi i Presidentit dhe brenda dy javë pune, nga data e pranimit të tij, ia paraqet Kuvendit raportin me rekomandime.
Pastaj, Kuvendi me shumicën e votave të të gjithë deputetëve vendos për ose kundër miratimit të rekomandimit të komisionit për vërejtjet e Presidentit.

Nëse Kuvendi nuk e miraton rekomandimin e komisionit për vërejtjet e Presidentit, atëherë ligji mbetet ashtu siç është miratuar më parë nga Kuvendi dhe konsiderohet i shpallur.

Ligji për Paga pritet të hyjë në fuqi 9 muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare. Kështu e ka bërë të ditur edhe deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina ditë më parë.
“Pakoja e ligjeve të Reformës në Administratë Publike (pra nuk është vetëm ligji për paga) hyn në fuqi 9 muaj mas miratimit në Kuvend, pra në tetor të këtij viti, dhe kjo ka të bëje me aktet nënligjore qe duhet hartuar për të mundësuar zbatimin e ligjeve por edhe me buxhetin”, kishte shkruar Pantina.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb