Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi takoi sot në Paris presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Përmes një postimi në Twitter, Thaçi tha se takimi me Putinin u përqendrua në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe të obligueshme.

“Për këtë çështje, Putin ishte i qartë: Nëse ju (Kosova dhe Serbia) arrini marrëveshje paqësore, Rusia do ta mbështesë atë”, shkroi Thaçi në Twitter.

Në Paris, Thaçi dhe Putin, ashtu si dhe dhjetëra liderë botërorë, morën pjesë në shënimin e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Thaçi po udhëheq delegacionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.
Arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme është synim i të dyja palëve, ashtu si dhe kusht për përparimin e tyre në rrugën e integrimit evropian. Rusia ka anuar vazhdimisht nga Serbia në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb