KOSOVE

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka pritur sot në një takim ambasadorë dhe shefa të zyrave dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë, për të ndarë me ata jo vetëm opinione nga takimi i Berlinit por edhe për pritjet që do mbahet në Paris. Presidenti Thaçi tha se e ka mirëpritur kthimin e vëmendjes së Gjermanisë dhe Francës për çështjet e Ballkanit Perëndimor dhe në veçanti rreth procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Vlerësoj lart vullnetin e mirë të kancelares Merkel dhe këmbëngulësinë e presidentit Macron që çështjet e Ballkanit Perëndimor të lëvizin përpara”, tha presidenti Thaçi.

Presidenti mirëpriti edhe kërkesën që të vazhdojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, në kërkim të një marrëveshjeje paqësore, që për Kosovën duhet të jetë marrëveshje përfundimtare, ligjërisht obliguese, që sjellë njohje reciproke dhe anëtarësim në Kombet e Bashkuara.

“Marrëveshje me të cilën ruhet substanca dhe karakteri shumetnik i vendit dhe shoqërisë, si dhe që hap rrugë integrimit në NATO dhe në BE”, u shpreh presidenti Thaçi.

Po ashtu, kreu i shtetit theksoi rëndësinë që shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, shtetet perëndimore në përgjithësi, të jenë më unike dhe më të qarta në këtë proces, në veçanti 5 shtetet e Kuintit, SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia.

“Përvoja e së kaluarës së afërt tregon se kur ka funksionuar ky unitet edhe skena politike në Kosovë ka qenë unike dhe e gatshme për të lëvizur përpara”, tha  Thaçi.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb