GJIROKASTËR- Policia e Gjirokastrës ka sekuestruar 54 kg drogë në banesat e dy personave në Këlcyrë, ndërsa ka arrestuar edhe poseduesit.

Mbi bazë të informacioneve të marra në rrugë policore shërbimet e Komisariatit Përmet në bashkëpunim me specialistët e seksionit të Hetimit të Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër kanë organizuar punën për kapjen e dy autorëve dhe sekuestrimin e drogës.

Nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit Theofan Tito, nga shërbimet e policisë u gjetën tre thasë plasmasi me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sattiva. Pesha e lëndës narkotike rezultoi 38 kg.

Gjithashtu nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit Manol Qorri, në një fuçi plastike u gjetën 16 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sattiva, si dhe 13 fishekë dhe një armë gjahu (çifte), të cilën e mbante pa lejen e organeve kompetente.

Nga specialistët e seksionit të Hetimit të Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
Theofan Tito, 57 vjeç, banues në fshatin Malshovë, Këlcyrë. ( i dënuar më parë për veprën penale “Vrasje”).
Manol Qorri, 73 vjeç, banues në Malshovë, Këlcyrë.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Përmet për veprime të mëtejshme.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: