RROGOZHINE

Frika se në verë ata nuk do të kenë mundësi të vadisin tokat e tyre ka nxjerrë sot në protestë banorët e 5 fshatrave të bashkisë Rrogozhinë. Rezervuari i cili ndodhet në fshatin Okshtun në Njësinë Administrative Lekaj, Bashkia Rrogozhinë, ka një hapsirë prej 85 hektarë që furnizon më ujë për vaditje rreth 4.000 hektarë tokë rrezikon të mbetet pa ujë si pasojë e heqjes së portës të tij.

Dërgimi i portës së këtij rezervuari për rimontim dhe mos zëvendësimi i saj për më shumë se dy muaj ka shtuar frikën tek banorët e ketyre fshatrave që burimin e vetëm të ekonomisë së tyre kanë bujqësinë.

Banorët nga ana e tyre kërkojnë zëvendësimin e menjëhershëm të portës së hequr, për t’i dhënë mundësi grumbullimit të ujit në rezervuar gjatë periudhës së shirave, në të kundërt tokat e tyre do të thahen dhe nuk do të mund të marrin asnjë prodhim bujqësor.

“Ne taksat e vaditjeve i kemi paguar të gjitha çdo vit. Jemi këtu për të drejtat tona. Të vendoset urgjentisht porta sepse po mbeti rezervuari pa ujë ne nuk do të vadisim asgjë. Ky rezervuar na ka mbajtur gjallë deri tani, prandaj duam zgjidhje”, shprehen banorët.

Banorët shprehen se në rast se nuk do të këtë zgjidhje të menjëhershme të problemit të tyrë ata do të përshkallëzojnë protestën deri në bllokimin e aksit kombëtar Rrogozhinë- Kavajë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb