Gjurmë droge u gjetën në rezidencën e kryeministrit britanik, Downing Street, por edhe në një shtëpi të ministrave të Jashtëm, pas festave ku merrnin pjesë aleatët politikë të ish-kryeministres Liz Truss, zbulon Guardian.
Gazeta britanike raporton se një pluhur i dyshimtë i bardhë u zbulua në pronën Chevening në Kent në verë, vetëm pak ditë para përfundimit të mandatit të Boris Johnson, kur Truss ishte sekretare e Jashtme dhe po konkurronte për kryeministre.
Truss organizoi një ngjarje në 19-21 gusht (e premte deri të dielën), ndërsa konkurronte për postin e kryeministrit. Një tjetër tubim u mbajt në datat 2-4 shtator. Të dyja ngjarjet u ndoqën nga aleatët politikë të Truss.
Pluhuri u gjet në një tryezë të dhomës së lojës dhe një anëtar i stafit pretendoi se kishte testuar pluhurin e bardhë dhe zbuloi se ishte kokainë.
Dëshmia e stafit thotë se kokaina përdorej gjerësisht nga aleatët politikë të Liz Truss. The Guardian thekson se nuk ka asnjë provë që as Truss ose Johnson po e përdornin ose se ata e dinin se po përdorej.
Burime të ndryshme i thanë gazetës gjetje të ngjashme në 10 Downing Street, pas dy festave të organizuara nga Boris Johnson gjatë bllokimeve të Covid, kur ai ishte kryeministër. Megjithatë, Johnson nuk ishte i pranishëm në asnjë prej tyre.
Mbetjet e pluhurit të bardhë u gjetën një mëngjes pas një feste në prag të funeralit të Princit Philip më 17 Prill 2021. Gazeta britanike vëren se stafi i pastrimit gjeti pluhur të bardhë në banja dhe në një tavolinë. Thuhet se pranë tavolinës u gjetën gjithashtu qese të vogla plastike dhe letra të lyera me gjak dhe të vjella.
Gjurmë pluhuri të bardhë dhe qese të vogla plastike u gjetën gjithashtu në tualetet e Downing Street19 dhjetor 2020, një mëngjes pas festës së Krishtlindjes. Stafi dyshonte se ndoshta ishte drogë.
Sue Grey, e cila raportoi për festën gjatë bllokimeve, nuk përmendi marrjen e drogës. Në Britani, mbajtja e kokainës mund të çojë deri në shtatë vjet burg ose gjobë.
The Guardian ka kërkuar koment nga Truss, zëdhënësi i të cilës e përshkroi raportin si “kategorikisht të pavërtetë”. Departamenti i Shtetit nuk pranoi të komentojë, ndërsa një zëdhënës i Johnson tha se ai ishte “i befasuar nga këto pretendime”.
Një zëdhënës i Downing Street tha se gazeta nuk kishte prova për të mbështetur pretendimet. “Nëse do të kishte pretendime thelbësore, do të prisnim që ato të raportoheshin nga policia”, thonë ata.
(The Guardian/BalkanWeb)