Gazeta britanike “The Guardian” shkruan në një artikull të saj se numri i fëmijëve shqiptarë që trafikohen në Britani për të punuar po njeh rritje të konsiderueshme, aq sa shumë shpejt do t’ua kalojë edhe vietnamezëve.

“The Guardian” citon një raport të përpiluar nga avokati Javed Khan, i cili drejton një organizatë dhe zyrë ligjore për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Ai thotë për gazetën britanike se shumë fëmijë shqiptarë po trafikohen në Britani dhe shfrytëzohen për punë apo për aktivitete kriminale.

“Vitin e fundit ka patur një rritje të konsiderueshme të numrit të fëmijëve shqiptarë që trafikohen në Britani për qëllime ‘skllavërie’. Pjesa më e madhe e tyre futen të punojnë në ndërtim, ndërsa një pjesë tjetër përdoret nga bandat e drogës për trafik”, thotë ai.

Megjithatë, avokati thekson se rekrutimi i fëmijëve e ka zanafillën në Britani. Pra sipas tij, nuk ka një sistem trafiku nga Shqipëria në Britani. “Ne besojmë se fëmijët, kryesisht adoleshentë, vijnë në Britani vullnetarisht dhe më pas aty rekrutohen për të punuar në të zezë apo nga bandat kriminale. Nuk ka një rrjet të organizuar që i dërgon fëmijët nga Shqipëria në Britani”, tregon ai më tej.

Sipas zyrës së tij, janë më shumë se 13 mijë fëmijë që përdoren për punë të ndryshme në Britani. Numrin më të madh e përbëjnë vietnamezët, dhe pas tyre vijnë shqiptarët. Por megjithatë, këto janë vetëm shifra zyrtare, pasi Khan beson se numri mund të jetë edhe më i madh nga sa deklarohet. (Panorama)

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: