Në 14 Korrik, në Berlin do të kurorëzohet kampionia e re e Evropës. Sigurisht pretendentët njihen tashmë, me Francën dhe Anglinë, që mbeten në “pole position” për të ngritur lart kupën, por cilat janë surprizat e vërteta në këtë Euro 2024?
Prestigjiozja britanike “The Guardian” ka analizuar dy skuadrat më pak të kuotuara për fitoren e trofeut, Shqipërinë dhe Gjeorgjinë. Por më shumë se shanset e dy kombëtareve për të fituar në këtë evropian, “The Guardian”, analizon pjesëmarrjen e të dyja skuadrave në një aspekt tjetër shumë të veçantë.
Pjesëmarrja për herë të dytë e Shqipërisë në finalet e një evropiani, tregon për rritjen e jashtëzakonshme të kombëtares shqiptare, shkruan në analizën e saj “The Guardian”. Kombëtarja shqiptare fitoi vetëm një nga 11 ndeshje të zhvilluara përgjatë 2022, por gjatë fushatës kualifikuese “armata” e Syvinhos ishte e pandalshme, plotë 8 sfida pa humbje, për të siguruar kualifikimin si e para e grupit të saj.
Shqipëria renditet e 66-ta për momentin në renditjen e përgjithshme të FIFA-s, megjithatë pjesëmarrja e saj për herë të dytë në evropian në 8 vitet e fundit, së bashku edhe me 10 kombëtare të tjera që kanë dalë nga ssitemi komunist në të shkuarën, tregon më së miri, se sa shumë kanë avancuar në nivelin futbollistik këto kombëtare.
30 vite më parë, as që mund të mendohej një sukses i tillë, por Shqipëria dhe Gjeorgjia, janë dy realitete shumë të bukura të futbollit të sotëm. Problemet që kanë patur në të shkuarën këto kombëtare, për shkak të situatës politike, duket se janë lënë pas tashmë.