Teatri Kombëtar greke i Operas dhe Baletit ka hapur dyert për një shfaqje shqiptare. Vepra bashkëkohore “The hill”, nën koreografinë e Gentian Dodës merr jetë me muzikë origjinale të Çezar Aliaj dhe ngjitet në skenë këtë fundjavë më 11 mars.
“The Hill” është një produksion i krijuar me trupën e Greek National Opera Ballet (GNO) dhe shfaqet në kuadër të mbrëmjes triptik “Human Nature”, që përmban tri punë nga tre koreografë të ndryshëm: Harris Gkekas, Kostantinos Rigos (drejtori artistik i GNOBallet) dhe Gentian Doda.
Premiera është me datë 11 Mars, në GNO Alternative Stage, Stavros Niarchos Foundation, Athinë (GR) dhe do të ketë gjithsej 8 shfaqje.
Veç koreografisë dhe muzikës, edhe kostumografia mban firmën e një shqiptari- stilistit Ardi Asllani.
Me ndriçimin e Kristos Tziogkas dhe bashkëpunimin me Rosella Pellicciotti e Francisco Lorenzo, vepra është një krijim nga ekipi i “Was bleit kollektiv | Gentian Doda”.
Ideja për veprën “The Hill” vjen nga një imazh i përshkruar nga skulptori Alberto Giacometti në “Shkrimet” e tij
“E pashë veten në një çeltinë të çuditshme, një hapësirë të paqartë rrethore […], kufijtë e së cilës […] humbisnin në një atmosferë të dendur dhe të lehtë në të njëjtën kohë, dhe shumë të butë. Rreth meje, […] kodra të vogla të alternuara me struktura të papërcaktuara […]. Por ato kodra, ato struktura, ishin komplekse, të rrethuara nga rezonanca, dhe ndjeja se ato ishin gjeste, tinguj zërash, lëvizje, njolla, ndjesi të një epoke tjetër, larg njëra-tjetrës në kohë […]. Ato ndjesi të shndërruara në objekte, ekzistonin njëkohësisht në hapësirën përreth meje dhe më mahnisnin” – “Shkrime” – Alberto Giacometti, 1901 – 1966).