Nga: MATTHEW ADAMS*
TIRANE – Një vajzë në ekzil’ (botimi anglisht) ose ‘E penguara’ në shqipe, sipas ‘The Indipendent’, është, si shumica e veprave të Ismail Kadaresë, që kanë të bëjnë me natyrën e tiranisë politike. “Vendosur në Tiranë, Shqipëri (vendlindja e Kadaresë), në atë që duket të jenë vitet 1980 nën sundimin e Enver Hoxhës, libri tregon historinë e një dramaturgu, Rudian Stefa, të dashurës së tij, Migena, dhe një gruaje të re me emrin Linda B, i cili është përzënë në një qytet të errët dhe të mjerë”, shkruan “Gazeta Shqiptare”, duke perifrazuar shkrimin e “The Indipendent”.

Gazetari Matthew Adamas, shkruan se “Rudiani do të takojë një zyrtar të shtetit edhe pse nuk e di arsyen e takimit. Ndoshta, ai mendon, se takimi është për shkak të marrëdhënieve të tij me Migenën, të cilën së fundmi ai e akuzon si spiune gjatë një grindjeje; apo ndoshta takimi është për shkak të dramës së tij të fundit, e cila ka tërhequr vëmendjen e censurës shtetërore”. “Pasi atij i vijnë në mendje gjithë këto arsye të mundshme, Komiteti e pyet rreth Linda B-së, një vetëvrasje e kohëve të fundit, mes gjërave të së cilës është gjetur edhe një libër i Rudianit”, shkruan “GSH” duke cituar “The Indipendent”. Në artikullin botuar mbas publikimit në gjuhën angleze të romanit “E penguara”, që andej mban titullin “Një vajzë në ekzil”, shkruhet se Rudiani nuk mban mend ta ketë takuar Linda B, por ndërsa romani vazhdon, ai fiksohet te historia e saj, historia që fshihet pas dëbimit e vetëvrasjes, dhe shqetësohet nga fakti i mundshëm se ai mund të jetë fajtor për fatin e saj.

“GSH” shkruan se, sipas “The Indipendent”, ndërsa përpiqet të kuptojë, ai mbledh së bashku fragmente të rrëfimeve të saj. Rudiani zbulon se qyteti i errët në të cilën ajo ishte dërguar prej dëbimit, i kishte vjedhur asaj ndjenjën e të qenit e lirë dhe e gjallë.

“Përjetimi i Kadaresë për mërgimin e brendshëm, varfëria emocionale dhe intelektuale, që Linda B-së i është dashur të durojë është i fuqishëm, i ndjeshëm, dhe herë pas here edhe pikëllues, ndërsa përshkrimi i Kadaresë për tmerrin e shtetit autoritar vjen me një kombinim elegant të horrorit, absurditetit e indinjatës”, shkruan “The Indipendent” në shkrimin e përgatitur shqip nga “GSH”, duke vënë në dukje edhe cilësi të tjera, e detaje që përcillen nga romani i Kadaresë: “Kjo është një shoqëri – një ‘diktaturë e proletariatit’ – në të cilën ekziston ‘një fushatë ideologjike kundër kafeneve’; në të cilën ka një ‘ndalim të fesë’ dhe burgim, nëse jo vdekje, ‘për kritikën më të vogël ndaj Stalinit’, në admirimin e tyre nostalgjik për të, dhe kjo zbatohet edhe për të vdekurit.”

Kadareja ka një dobësi për klishetë që zhveshin personazhet e tij. Por vepra është e mirë dhe ju lë një ndjesi trishtuese, humane dhe çuditërisht të bukur. Vepra, në mbarim, ju lë me një ndjenjë të vazhdueshme shqetësimi.
(Përgatiti në shqip, GAZETA SHQIPTARE)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: