“The Sun” i ka dedikuar një artikull të gjerë me emra dhe fakte, rrjeteve kriminale shqiptare të cilat i konsideron shkaktare të epidemisë së kokainës që ka mbërthyer Britaninë e Madhe. “Feudët e gjakut”, “Gati për luftë”, “Familjet rivale të krimit” janë temat kryesore në artikullin e Oliver Harvey për The Sun

Teksa do fluturoja drejt Shqipërisë nga aeroporti i Gatëick-ut javën e shkuar, grupi i oficerëve të Forcave Kufitare shoqëruar me qentë e racës “pastor gjerman”, po shqyrtonin me kujdes pasagjerët. Të vënë në rresht për një, në pritje të nisjes së udhëtimit njerëzit po ktheheshin drejt terminalit, ndërkohë që oficerët refuzuan të komunikonin arsyen e kontrollit të tyre “rrufe”.  Mirëpo, dihet botërisht që ky lloj qensh trajnohet për të nuhatur paratë. PARATË E DROGËS.

Valixhet e dendura kapicë me miliona që gjenerohen nga përdoruesit e kokainës në Britani, janë duke u ndërlidhur me vendin ballkanik në rrugë tokësore, ajrore edhe detare.  Kjo është faza përfundimtare në gjurmët e mjerimit, që të shpie nga fushat e kultivimit të kokainës në Amazonë në rrugët e Britanisë, të orkestruar nga e ashtuquajtura “Lidhja Shqiptare”.

Në Shqipëri, paratë e thata të fituara nga tregtimi i kokainës pastrohen në pasuri të paluajtshme dhe në makina luksose, në skaj të fetishizmit, duke ushqyer korrupsionin dhe duke cënuar shtetin e të drejtës. Në Britani, kokaina e lirë dhe me pastërti të një niveli superior, ka furnizuar epideminë e krimit të organizuar dhe rrjetet e trafikimit të drogës. Nuk përbën çudi që Shqipëria, një komb i vogël prej rreth tre milionë banorësh, që është i dëshpëruar për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian, qendron tani në vijën e parë të frontit kundrejt luftës së Mbretërisë së Bashkuar ndaj krimit të organizuar.

FEUDËT E GJAKUT

Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britani (NCA), grupet kriminale shqiptare po përhapin  ndikimin e tyre në rrjedhën e sipërme. Një prokuror vendas, më tregoi sesi një bashkëatdhetari i tij depërtoi dhe goditi tregun britanik të kokainës.  “Ata shkuan drejt e në burim, në Amerikën e Jugut. Ata u bënë shitës me shumicë dhe i përzunë trafikantët e mesëm.”- më rrëfeu prokurori.

Mafiozët shqiptarë u bashkuan pastaj me “Ndrangheta”-n, mafian më të fuqishme italiane, që ka të besuar të saj në disa nga portet detare më të ngarkuara të Evropës. Kokaina e pastërtisë sipërore që mbërrin në Belgjikë dhe Holandë në kontenjerët e transportit nga Amerika e Jugut, vazhdon itenerarin e saj drejt Britanisë.

“GATI PER LUFTË”

Në një material filmik të lëshuar nga grupi i trafikantëve në tetor, lajmërohej gatishmëria për luftë.  Në vitin 2016, tre nga bandat e rrugës u shpërbënë duke u burgosur për një total prej 42 vjetësh, si rezultat i një operacion policor, në sajë të të cilit u zbulua një sasi e konsiderueshme droge që e konvertuar në shifra kap vlerën e 6 milionë paundëve, një armë e llojit “Skorpion” dhe një silenciator. Një prej të burgosurve, “koka” drejtuese e grupit “Hellbanianz”, Tristen Asllani, i dënuar me 25 vjet burg, postoi fotografi nga qelia në “Ëandsëorth” për të treguar krenarisht se e vetmja gjë që ai humbi ishtin “punojëset e seksit”.

Modeli shqiptar i biznesit ka parë që çmimi i një kilogrami kokaine të paprerë në Britani ra nga më shumë se 45,000 paundë pesë vjet më parë në rreth vetëm 30,000 paundë aktualisht. “Grupet e krimit bazohen në lidhje familjare dhe miq të besuar nga i njëjti qytet në Shqipëri. Gjithkush njeh familjet e njëri-tjetrit, gratë, fëmijët, që funksionon si një garanci- tradhëtoje grupin dhe hakmarrja do të vijë.”- tha për “The Sun”gazetari i kronikës së zezë në Shqipëri, Artan Hoxha.

Vrasjet e fshehta mes klaneve rivale në Shqipëri që mund të qendrojnë të pazbardhura për dekada , janë kthyer tashmë në traditë. Megjithatë, policia britanike ka pasur suksese të profilit të lartë. Kur policët bastisën “kumbarin” Erald Memën, ata gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 560,000 paundë, 10 kg kokainë, dy pistoleta 9mm dhe një revolver të ngarkuar të llojit “Smith & Ëesson”. Krimineli 33-vjeçar kishte arritur të bënte ecejake midis Britanisë dhe atdheut të tij, ndërsa drejtonte rrjetin shumëmilionësh të kokainës në mbarë Britaninë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

FAMILJET RIVALE TË KRIMIT

Një tjetër baron shqiptar i kokainës, Klodjan Copja, pëlqente të ngiste një Ferrari në të kuqe të gjakut nëpër rrugët e qytetit të Elbasanit, kur u kthye nga Britania. Për tre vjet policët morën korrierët dhe ushtarët këmbësorë që i erdhën në ndihmë Copjas për të “përmbytur” Londrën,  Birminghami-n, Leicester-in dhe Nottingham-in në një det prej 150 milionë paundësh kokainë.

Copja, 31 vjeç, mbeti bishtnues, duke i lëruar fitimet e tij në një bar të zhurmshëm në qytetin e tij të origjinës të Shqipërisë së Mesme. Më në fund, Copja u kap duke përdorur një pasaportë të rreme në kufirin greko-shqiptar dhe tani po shlyen dënimin prej 17 vjetësh në një burg në Mbretërinë e Bashkuar. Elbasani është gangrenizuar nga familjet ndërluftuese të krimit, tentakulat e të cilave shtrihen deri në Britani të Madhe. Vëllai i Copjas u arrestua për hedhjen në erë të një rivali. Gangot e veshur si policë bombarduan barin e një “armiku” me armë zjarri, duke vrarë në përleshje tre persona dhe duke plagosur shtatë të tjerë.

Shumë shqiptarë arrijnë në Britani duke përdorur letra të rreme ose paguajnë rreth 12,000 paundë për të kaluar vjedhurazi përmes kanalit, të fshehur në pjesën e prapme të kamionëve. Në rajonin e bukur të verior të Hasit, deri në 10,000 nga 25,000 banorët e atjeshëm, janë arratisur për në Mbretërinë e Bashkuar. Babai i tre fëmijëve, Agroni, 46 vjeç, kaloi tre vjet duke punuar si suvatues në Stratford, pasi mbërriti në mënyrë klandistine nëpërmjet kamionit. “Nuk ka punë këtu. Mund të marr 60 euro në muaj nga asistenca. Në Britaninë e Madhe unë fitova sa më shumë se 500 paundë në javë si një suvatues.”- rrëfeu shqiptari.

Jo të gjithë punësohen në mënyrë të rregullt, sikurse Agroni. Tarifa prej 12,000 paundësh për të okupuar një vend në kamionët bartës, do të thotë se disa do të përfundojnë duke punuar për bandat, në mënyrë që të shlyejnë “biletën” e majme.

Të tjerë, si Fari Lleshi, “zhyten” në trafikun e drogës. “Si të gjithë shqiptarët, kam ardhur me kamion. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të udhëtuar drejt Anglisë.”- është shprehur Lleshi. Fillimisht, ai nisi të punonte gjithashtu si murator në Britani dhe u përpoq të lançohej si “rapper”. Madje, në një këngë të tij vetëlëvdohej se në dejet e tij qarkullonte kokainë. I tatuuar kokë e këmbë, 29-vjeçari Lleshi, u dënua me tre vjet burgim në Britani nën akuzën e posedimit të narkotikëve të “klasës A”, e përgatitur për shpërndarje. Këtë vit, ai u deportua për në Shqipëri.

Në Tiranë, një prej eksponentëve të opozitës, ish-ministri i Drejtësisë, Gazment Bardhi, teksa tregon nga zyra e tij ngrehinat që po lartohen, shprehet:  “Janë ndërtuar me pasuri kriminale. Paratë e pista po destabilizojnë Shqipërinë.” Krerët e krimit mund të blejnë daljen e tyre nga burgu dhe politika është infektuar nga paratë e drogës. Por Shqipëria gjithsesi përpiqet të luftojë.

Plantacionet e shumta të “cannabis-sattiva”-s janë çrrënjosur. Një zyrë e Prokurorisë Speciale, SPAK-u, po krijohet për të hetuar krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë. Forcat britanike të rendit kanë krijuar një partneritet me homologët e tyre shqiptarë në luftën kundër bandave. Megjithatë, gazetari Hoxha nuk është i impresionuar nga ky mobilizim. “Mbretëria e Bashkuar po punon me policinë shqiptare, por policët këtu kanë mungesë të burimeve dhe duhet të bëjnë më shumë. Nuk është mirë të arrestosh një ushtar këmbësorie në Londër nëse nuk i pret rrënjët në Shqipëri. Edhe sikur të presësh kokën gjarprit, shumë më tepër do të rriten.”, tha Hoxha.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb