Sri Lankë

Ka shkuar në 359 të vdekur, mes të cilëve 45 janë fëmijë, bilanci i viktimave nga sulmet terroriste të ndodhura në ditën e Pashkëve kundër kishave dhe hoteleve në Sri Lanke.

Lajmin e bën me dije policia, duke saktësuar se janë arrestuar 40 të dyshuar, përfshirë drejtuesin e një furgoni që u përdor nga terroristët për të arritur në vendin e masakrës dhe pronar i një shtëpie ku jetonin disa prej tyre. Isis ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmet.

Unicef:45 femijë janë vrarë gjatë sulmeve

Janë 45 fëmijët që humbën jetën në atentatet e Sri Lankes. Lajmin e bën me dijë zëdhënësi i Unicef Christophe Boulierac, që citohet nga mediat ndërkombëtare.

Sipas zëdhënësit italian të Unicef Andrea Iacomini, 27 fëmijë kanë vdekur dhe 10 janë plagosur nga shpërthimi në Kishën e San Sebastian, Katuwapitiya, në Negombo.

Në Batticaloa, kanë vdekur 13 fëmijë, më i vogli 18 muajsh, 15 fëmijë nga 7 dhe 16 vjeç janë shtruar në spital ku po marrin ndihmën mjekësore dhe 5 fëmijë me kombësi të huaj kanë vdekur. 20 fëmijë janë shtruar në spital në Colombo, ku katër prej tyre ndodhen në terapi intensive.

“Shumë fëmijë kanë humbur njërin ose të dy prindërit dhe të tjerë fëmijë kanë parë nga afër dhunën shokuese. Unicef po punon në kontakt të ngushtë me partnerët qeveritarë për të mbledhur informacione të besueshme, për situatën e fëmijëve dhe të adoleshentëve të përfshirë në këtë tragjedi’.

Policia jep alarmin për një furgon me ekspoziv ne qytet

Policia e Colombo ka shpërndarë një mesazh për një furgon të mbushur me eksploziv që mund të gjendet në qytet. Masat e sigurisë janë shtuar së tepërmi në zonën e godinave qeveritare dhe stacionet e policisë, shkruan The Guardian.

Zevendësministri i mbrojtes:Sulmet një hakmarrje për Christchurch

Një hetim i parë i bërë për sulmet kamikaze në ditën e Pashkëve tregon se bëhet fjalë për një ‘raprezalje për Christchurch’, ka thënë zëvendësministri i Mbrojtjes së Vendit. ’Hetimet paraprake kanë zbuluar që ajo që ka ndodhur ne Sri lanke ka qenë një hakmarrje kundër myslimanë në Christchurch, ku pesëdhjetë njerëz kanë mbetur të vrarë gjatë sulmeve në dy xhami në qytetit e Zelandës së re’- ka thënë ministri Ruwan Wijewardene në Parlament. Presidenti i Sri Lankës, Maithripala Sirisena, ka shpallur ditë zie kombëtare datën 23 prill. Sipas agjencive së inteligjencës, në sulme, mund të jenë përfshirë edhe ‘grupe ndërkombëtare’. Ndër të tjera është forcuar perimetri i sigurisë përreth Kishave katolike të Ishullit.

(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb