GREQI- Thellohet bilanci i viktimave nga zjarret në rajonin e Atikës në Greqi, ndërsa numri i të vdekurve ka shkuar në 88. Nga të dhënat që përcjellin mediat greke, mësohet se rreth orës 02:00 të natës ka ndërruar jetë në spital një 42-vjeçare, e cila nuk mundi t’i shpëtonte plagëve të marra nga zjarri në Mati. Ndërkohë, raportohet se në beteje mes jetës dhe vdekjes janë edhe 9 persona, të cilët thuhet se janë në gjendje të rëndë, pas tragjedisë kombëtare që goditi Greqinë.

‘Protothema.gr’ shkruan se në total një numër prej 46 personash (të rritur) qëndrojnë të shtruar në spitale, ndërsa dy fëmijë janë në Hagia Sophia, ndërsa këta të fundit janë jashtë rrezikut për jetën. Kujtojmë se mes viktimave u konfirmua zyrtarisht edhe një shtetas shqiptar, përkatësisht Viktor Ceko nga Vlora.

Përgjatë ditës së hënë edhe gjatë natës, duke u zbardhur e marta, në tri zona të ndryshme të Athinës ‘shpërthyen’ 15 vatra zjarri, ku situata më dramatike ishte në fshatin bregdetar Mati. Përveç dhjetëra të vdekurve në vende të ndryshme të periferisë së Athinës për shkak të zjarreve masive, ekipet e shpëtimit u tmerruan kur gjetën 26 persona të djegur të gjallë në një restorant, kjo edhe për shkak të bombolave të gazit. Aktualisht në terren ndodhen forca të ndërhyrjes, të cilët po vijojnë kërkimet në çdo ndërtesë për gjetjen e mbetjeve njerëzore.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: