Thellohet më tej skandali i trukimeve të ndeshjeve në kampionatin spanjoll. Një javë nga arrestimet e para, në dritë dalin detaje që vërtetojnë se paracaktimi i rezultateve nuk bëhej në kategoritë inferiore, por në elitën e futbollit iberik dhe një prej kampionateve më të fortë të Europës siç është La Liga. E përditëshmja “El Mundo Deportivo” ka publikuar një bisedë telefonike të përgjuar nga prokuroria, e cila tregon trukimin e sfidës së javës së fundit në sezonin që sapo u mbyll mes Valladolid dhe Valencia.
Kjo e fundit fitoi në transfertë 2-0 dhe siguroi biletën për në Champions League. “Ka një marrëveshje. Shtatë lojtarë janë blerë. Valencia fiton sin ë pjesën e parë ashtu edhe në të dytën, E di çfarë, askush nuk mund ta zbulojë”, thotë në bisedën telefonike Carlos Aranda, kreu i dyshuar I organizatës që paracaktonte ndeshjet e futbollit në Spanjë. Në të vërtetë ndeshja Valladolid-Valencia u vendos me nga një gol për çdo pjesë me gabime të dukshme të mbrojtjes vendase.
Duke qëndruar në atë që raporton gazeta spanjolle, shtatë futbollistët e blerë ishin të gjithë të Valladolid. Ndërmjetës i Carlos Arranda ishte kapiteni Borja Fernandez, që kishte marrë paratë nga ish-sulmuesi i Realit të Madridit, Raul Bravo. Paratë më pas ishin ndarë në shtëpinë e sulmuesit Keko. Të gjithë këta persona janë ndaluar nga policia, ndërsa në pritje të procesit janë lënë të lirë mbin bazën e garancisë financiare.
(balkanweb)