Zhvillimet politike të ditëve të fundit janë dëshmia më e freskët se Kushtetuta, themeli i shtetit, stabilitetit dhe demokracisë te ne po kthehet sërish në “mollë sherri”. I sheh e dëgjon me vëmendje parlamentarët, politikanët dhe çuditërisht shumë më pak ekspertët të diskutojnë me zell mbi teknikalitetet e pakapshme për publikun e thjeshtë, por shpejt vjen zhgënjimi sepse jemi ndeshur me aq shumë probleme, konflikte dhe kriza të shtetit tonë, jo vetëm kur shkelet, por edhe kur respektohet Kushtetuta; kur sheh se kemi mbi një vit pa prokuror të përhershëm, pa Gjykatë të Lartë dhe mbi të gjitha pa Gjykatë Kushtetuese. Imagjinoni Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut se si mund të funksiononte qoftë edhe një javë pa Gjykatën e saj të Strasburgut! Për fat të keq, me poteren e madhe politike, parlamentare dhe mediatike të ditëve të fundit po rikonfirmojmë se jemi vend “sui generis” dhe në këtë fushë. Sepse gjatë 30 viteve të fundit, me gjithë zhurmën dhe ndryshimet e shpeshta kushtetuese, si në asnjë vend tjetër në Evropë, sërish problemet kanë qenë dhe mbeten të shumta dhe serioze.


Dihet tashmë se në vitin 1991, dispozitat kryesore kushtetuese të miratuara me konsensuin e partive politike shfuqizuan Kushtetutën famëkeqe socialiste të vitit 1975 me pasojat dhe të këqijat e saj të njohura tragjike. Dispozitat kryesore kushtetuese vunë themelet dhe i çelën rrugën integrimit në BE, NATO, KiE, OSBE, institucionalizuan pluralizmin politik, ekonominë e tregut, pronën private, lirinë e fesë, e ndërgjegjes etj. Vlen të theksohet se kjo ishte hera e parë dhe e vetme kur nuk pati sherre dhe grindje për dokumentin themelor të shtetit; kjo ndoshta sepse ato ishin kalimtare, në pritje të Kushtetutës së re demokratike. Kjo e fundit u hodh për “diskutim të madh popullor” në vitin 1994. Fushata e referendumit kushtetues u zhvillua si një sherrnajë e paparë politike mes debatesh dhe kundërshtish të ashpra nga dy kampe të papajtueshme politike. Kjo, pasi presidenti i asaj kohe kërkonte me çdo kusht shtimin dhe forcimin e kompetencave presidenciale me jo pak, por 33 nene shtesë tejet të diskutueshme që binin ndesh me Aktin Final të Helsinkit. Kushdo që e ka ndjekur, ose ka qenë i përfshirë në atë referendum si dhe autori i këtij shkrimi brenda e jashtë vendit ka parë se si nga një moment reflektimi, afrimi dhe bashkimi në diversitet, ai provokoi një ndarje dhe betejë plebishitare ndërmjet presidentit Berisha dhe opozitës së bashkuar; jehona e asaj sherrnaje shkoi deri në Venecie, Bruksel, Bon, Uashington, Strasburg dhe gjetkë derisa u hodh poshtë me shumicë të madhe votash.


Viti 1997 me situatën e jashtëzakonshme jep veç të tjerash, shembuj domethënës të dobisë kur veprohet dhe jashtë suazës së Kushtetutës dhe dëmit të madh kur veprohet verbërisht sipas saj. Dihet se atëherë me marrëveshjen e 9 marsit 1997 u krijua qeveria e Pajtimit Kombëtar me kryeministër socialist, edhe pse PD-ja kishte shumicën parlamentare dhe sipas dispozitave kushtetuese i takonte asaj të mbante shumicën e qeverisë dhe postin e kryeministrit. Mirëpo kjo nuk përputhej me “frymën” e ndryshimeve kushtetuese që ishte ruajtja e unitetit dhe stabilitetit të vendit. Natyrisht aty ishte garantor komuniteti ndërkombëtar dhe forcat politike. Edhe rizgjedhja e Berishës si president më 4 mars 1997 përballë kundërshtimit të madh e të dhunshëm të popullsisë, kur skemat piramidale po shpërthenin formalisht ishte në rregull; por nuk ishte e tillë me “frymën” e Kushtetutës.


Shumë e madhe ishte edhe sherrnaja politike në vitin 1998, kur u diskutua mbi Kushtetutën e re me ndihmën e madhe të komunitetit ndërkombëtar dhe juristëve nga më të njohurit e asaj kohe, sipas parametrave më të mirë ndërkombëtarë. Edhe pse bashkëkryetarët e komisionit parlamentar për hartimin e saj ishin dy liderë të opozitës së asaj kohe. Lidershipi i saj mendonte gabimisht se i kishte ardhur ora e revanshit për disfatën e vitit 1994 dhe bëri thirrje për bojkotin e saj. Por, Kushtetuta fitoi edhe pse “tangjent” në referendumin e rastit. E megjithatë, as ajo Kushtetutë tejet e përparuar nuk mundi të shmangë afera, skandale, sherrnaja dhe konflikte zgjedhore si brenda mazhorancës së asaj kohe, ashtu edhe në marrëdhëniet e saj me opozitën, siç ishte rasti me zgjedhjet e shumëdiskutuara të vitit 2001.

Gjithsesi, pas disa viteve, kur dukej se gjërat ishin normalizuar dhe nuk kishte probleme, befas, më 1 prill 2008 brenda natës u bënë ndryshimet e njohura kushtetuese, duke ndryshuar rrënjësisht sistemin zgjedhor nëpërmjet shtimit të kompetencave të kryeministrit, duke dobësuar parlamentarizmin e duke e katandisur Presidentin e Republikës në një “kukull ceremoniale”. Në fakt, ato ndryshime janë në themel të krizave politike deri tek ajo e tanishme. Nuk sollën ndonjë dobi, veç komfortit politik dhe elektoral për liderët e partive kryesore, që të kishin dorë të lirë në caktimin e deputetëve dhe për gjithçka, duke dëmtuar rëndë karrierën dhe konkurrimin partiak, përbërjen dhe cilësinë e trupës sonë parlamentare. Shija e hidhur e asaj sherrnaje të drejtë politike është ende aty.

Tani, mbi 10 vjet më vonë, veç disa rasteve më të vogla të mëparshme, erdhi sherrnaja e re edhe më e rëndë. Pa hyrë në debate shteruese, dua të theksoj se në vendet perëndimore, në raste të tilla politika nuk nxitohet në deklarata, ca më pak me gjuhë joinstitucionale. Ajo reflekton, konsultohet dhe dëgjon zërin e ekspertëve. Mbi këtë bazë dhe pa panik, ajo vepron me kujdes dhe në mënyrë proporcionale, duke peshuar mirë argumentet ligjore, por edhe interesat politike e me gjerë, tani dhe të ardhmen. Ja shiheni, kancelaritë kryesore perëndimore janë ende në shqyrtim e sipër të dekretit në fjalë. Së dyti, siç u përmend edhe më lart, Kushtetuta dhe çdo ligj kanë “germat (the letters)” dmth., nenet dhe dispozitat, por dhe “frymën” (the spirit) e tyre dmth., moralin, qëllimin dhe kornizën e tyre. Të dyja shkojnë bashkë dhe ndarja e tyre mekanike çon në përfundime të gabuara. Gjithashtu, edhe nenet e saj merren dhe trajtohen në tërësinë e tyre e jo veç e veç; veç kësaj, nuk mund të kërkosh nga Kushtetuta që të hyjë në çdo detaj, datë dhe shifra teknike, kurrsesi. Ja psh., koncepti i ri “Spitzenkandidat” ose “kandidati kryesor” në zgjedhjet e fundit evropiane për postin e presidentit të Komisionit Evropian; kjo praktikë ka filluar zbatimin në vitin 2014 me nismën gjermane. Në fakt, ky term nuk figuron në “Kushtetutën” evropiane, siç është Traktati i Lisbonës; e megjithatë, kurrkush në BE dhe vendet anëtare, as Presidenti Macron që është kundër këtij sistemi, nuk e ka quajtur shkelje të traktatit apo dhunim të së drejtës së Këshillit Evropian në zgjedhjen e posteve kyçe të BE-së, sepse ai përputhet me “frymën” atij traktati!

Më tej, vërtet që ndryshe nga dekreti i tanishëm i Presidentit Meta, precedentët e shtyrjes së zgjedhjeve lokale dhe parlamentare më 2007-ën dhe 20017-ën ishin rezultat i konsensusit dhe veprimit të gjerë partiak, por nga ana tjetër, vendimi i tanishëm është pasojë dhe përgjigje institucionale ndaj mungesës së këtij dialogu dhe konsensusi, pra e mosveprimit, për herë të parë në 30 vitet e fundit të forcave politike ndaj situatave të reja me plot të panjohura. Mirëpo, si veprimi dhe mosveprimi kanë efekte të ngjashme, madje mosveprimi i forcave politike në kushtet e tanishme është më i dëmshëm dhe në kundërshtim të hapur me Kushtetutën, frymën dhe germat e saj.

Ndaj, krahas gjykimit të mazhorancës, që është në të drejtën e vet, përse të mos mendohet edhe versioni tjetër, që dekreti i Presidentit të Republikës synon shtyrjen në një datë të afërme, por jo mohimin e votës; që zgjedhjet të jenë pluraliste e jo votime moniste, ndryshe ato do të çonin në zgjedhë politike. Ndoshta nga ana formale dekreti i presidentit lë vend për diskutime, shumica parlamentare e quan me të drejtë “akt të paprecedent”, mirëpo edhe situata e tanishme e krizës është e paprecedentë! Ndryshe, në kushte të tjera normale, shtyrja e zgjedhjeve nga presidenti do të ishte e papranueshme, sepse veç të tjerash, do të dëmtonte/favorizonte njërën apo tjetrën palë. Atëherë, a nuk ka vend të mendohet se në këto rrethana krejt specifike, ndërhyrja e presidentit, edhe pse në “germa” jo shumë e qartë, sërish në “frymë” krijon hapësirë dhe kohën e nevojshme për mendim dhe reflektim nga të gjithë; jo për të “mprehur shpatat” në Kuvend e gjetkë, por për t’u ulur në tryezën e dialogut si kandidatë për në BE që jemi, për të mos dëmtuar më imazhin dhe për të nxitur partnerët tanë që të na japin dritën jeshile për negociatat e shumëpritura. Aq më tepër tani kur mesazhi që ata presin nga ne në këto momente vendimtare nuk është hapja e një fronti të re krize institucionale dhe përshkallëzimi i saj me procedurat për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Siç u shpreh së fundi me shqetësim dhe zoti George Tsereteli, president i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, ajo çka ata presin me padurim nga vendi ynë është dialogu dhe kompromisi politik, që të jemi të parët në luftën kundër krimit, korrupsionit, azilit të paligjshëm dhe dukurive të tjera negative. Nuk po flasim pastaj për kohën dhe energjitë e mëdha shtesë që do të shpenzojë politika e të gjitha krahëve dhe diplomacia jonë dhe kështu plot e përplot me konflikte për t’u shpjeguar kancelarive perëndimore konfliktin më të ri, fajet dhe gjynahet e palëve. Ca më tepër që në fund të fundit, ajo ka të bëjë me një datë zgjedhjesh lokale, as e para dhe as e fundit në politikën tonë. Ca më tepër se më 1 janar 2020 do të marrim kryesimin vjetor të OSBE-së.

Së fundi, në diskutimet dhe debatet e shumta kërkohet distancimi nga demonstrimi i forcës dhe gjuha e drunjtë, si dhe etikë/kulturë më e madhe politike evropiane. Mbi të gjitha, këtu vlen shumë këshilla e Coelhos së famshëm se “eleganca nuk shfaqet në mënyrën si e mbajmë shpatën, por si e shmangim dyluftimin”. /Gsh/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb