Themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, është futur në një nga debatet politike më të diskutuara në Shtetet e Bashkuara pasi njoftoi se ai dhe bashkëshortja e tij kishin dhuruar 33 milion dollarë për një program bursash studimi për emigrantët e rinj që kanë hyrë ilegalisht në vend kur ishin fëmijë, shkruan “New York Times”.


Jeff Bezos dhe bashkëshortja e tij MacKenzie dhuruan paratë për organizatën jofitimpruresë ‘Dream.US’, e cila tha se donacioni më i madh në historinë e organizatës do të financonte bursa studimi për 1,000 të diplomuar nga shkollat e mesme të cilët janë lejuar të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara sipas programit të njohur si DACA, i cili ofron mbrojtje nga dëbimi për emigrantët e paligjshëm që kanë hyrë në SHBA në moshë të mitur.


800,000 emigrantë të ashtu-quajtur ‘Ëndërrimtarë’ të programit DACA përballen me një të ardhme të pasigurtë pasi Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi vitin e kaluar se po planifikonte t’i jepte fund programit të mbrojtjes së emigrantëve të rinj.


Trump vazhdimisht ka kritikuar Jeff Bezos për rolin e tij në kompaninë Amazon dhe faktin që ai zotëron prestigjiozen ameriikane ‘The Washington Post’, të cilën e bleu në 2013. Trump ka akuzuar Amazon për shmangie taksash dhe “Washington Post” për raportim të lajmeve në mënyrë të padrejtë.
Jeff Bezos tha në një deklaratë se donacioni ishte frymëzuar nga shembulli i babait të tij Miguel, i cili erdhi në Shtetet e Bashkuara nga Kuba në fillim të viteve ’60 bashkë me mijëra të mitur të pashoqëruar nga prindërit.
“Babai im erdhi në Amerikë kur ishte 16 vjeç si pjesë e Operacionit Pedro Pan. Ai zbarkoi në këtë vend i vetëm dhe pa ditur asnjë fjalë anglisht. Me shumë guxim dhe vendosmëri. si dhe ndihmën e disa organizatave të njohura në Delaware, babai im arriti të bëhej një qytetar model dhe vazhdon të japë kontributin e tij për këtë vend, që ai mendon se e ka bekuar në shumë mënyra. Unë dhe gruaja ime jemi të nderuar që jemi në gjendje të ndihmojnë Ëndërrimatërt e sotëm duke financuar këto bursa studimi” tha Bezos në deklaratën e tij.

Shefi ekzekutiv i rrjetit social ‘Facebook’ Mark Zuckerberg dhe gruaja e tij Priscilla Chan gjithashtu dhuruan 5 milionë dollarë për organizatën ‘Dream.US’ dy vite më parë.
(a.k/BalkanWeb)

Etiketa: