Me lot në sy, kryeministrja britanike, Theresa May, njoftoi se do të japë dorëheqjen si kryetare e Partisë Konservatore dhe rrjedhimisht si kryeministre më 7 qershor. May ka qenë nën presion për të dhënë dorëheqjen pas dështimit të negociatave për Brexit.

“Kam bërë më të mirën time. Kam bërë gjithçka që të bindja deputetët që ta mbështesnin atë marrëveshje…fatkeqësisht nuk arrita të siguroj mbështetjen e tyre. Është dhe do të jetë gjithmonë një trishtim i madh për mua që nuk arrita të përfundoj procesin e Brexit”, u shpreh May.

Posti i kryetares së konservatorëve i garantonte asaj detyrën e kryeminitres së Britanisë së Madhe. Që nga janari i këtij viti, parlamenti britanik ka hedhur poshtë tri herë marrëveshjen e largimit të Britanisë nga BE-ja. Britania është dashur të dalë nga Bashkimi Evropian më 29 mars por kryeministrja, Theresa May, nuk arriti të bindë ligjvënësit britanikë për të votuar marrëveshjen e arritur me udhëheqësit e BE-së.

Megjithatë ajo arriti të marrë dakordësinë e BE-së për shtyrjen e afatit të Brexit-it deri më 31 tetor, datë kjo kur Britania duhet të dalë nga BE-ja me ose pa marrëveshje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb