Parlamenti britanik refuzoi sërish marrëveshjen e daljes nga BE . Theresa May ka humbur kështu bastin, ndërsa Brexit ndodhet tashmë në një udhëkryq të pashmangshëm. Për të tretën herë parlamenti britanik ka refuzuar marrëveshjen me Brukselin, këtë herë me një diferencë prej 58 votash.

Premtimi i kryeministres, se do të dorëhiqej në rast se marrëveshja nuk do të kalonte nuk ndikoi aspak në votim. Kryeministrja May tha se të hënën do të vazhdojnë debatet mbi alternativat për marrëveshjen e Brexit. Lideri laburist, Jeremy Corbyn i kërkoi asaj të japë menjëherë dorëheqjen, duke krijuar mundësi që Britania e Madhe të mbajë zgjedhje të reja. Deputetët laburistë akuzuan Theresa Mayn se e rivuri në votë marrëveshjen e saj të dështuar, për t’u shërbyer karrierave të konservatorëve të partisë së saj.

Sakaq mediat flasin për dy skenarë të mundshëm, së pari Britania të dalë automatikisht nga BE më 12 prill, pa asnjë marrëveshje, ose do t’i kërkohet Bashkimit Europian një zgjatje afati, të paktën prej një viti, por në këtë rast Londra do të jetë e detyruar të marrë pjesë në zgjedhjet evropiane në maj: një hipotezë pothuajse surrealiste. Të hënën, parlamenti britanik do të diskutojë sërish alternativat mbi të cilat do të hapet një negociatë me Brukselin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb