Britania e Madhe rrezikon të futet në “rrugë të panjohura” nëse ligjvënësit e saj nuk votojnë marrëveshjen e propozuar për daljen e vendit nga Bashkimi Europian.

Ky ishte paralajmërimi që kryeministrja angleze Theresa May u drejtoi kundërshtarëve të saj politikë të dielën, pak ditë përpara mbledhjes së parlamentit për të diskutuar marrëveshjen e Brexit.

Në një intervistë për rrjetin publik anglez të lajmeve BBC, kryetarja e qeverisë premtoi një sërë masash që do të bindin më skeptikët të votojnë pro marrëveshjes rreth javës së dytë të janarit.

Qëndrimi i May ka ardhur vetëm pak ditë pas reagimit të krerëve më të lartë të BE, të cilët paralajmëruan realizimin e Brexit pavarësisht votimit në parlament.

Nëse nuk arrijmë që ta votojmë marrëveshjen për Brexit, rrezikojmë të hyjmë në një territor të panjohur. Prandaj në ditët në vijim do të ofrojmë disa garanci, disa masa. Masa e parë ka të bëjë me Irlandën e Veriut, masa e dytë me rolin e parlamentit në stadin e mëtejshëm të negociatave me aleatët tanë. Ndërsa masa e tretë, dhe për këtë jemi ende duke punuar, lidhet me garancitë që do i kërkojmë Bashkimit Europian për të adresuar problemet që ne kemi ngritur,” tha May.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: