TIRANË
Kryetarja e Parlamentit Elisa Spiropali i është përgjigjur akuzave të deputetit të PBDNJ-së Vangjel Dule, i cili tha se është shkelur Kushtetuta dhe nuk janë lejuar deputetët të hyjnë në Kuvend.
Spiropali tha se Garda e Republikës ka organizuar hyrjen në sallë në mënyrë të dinjitetshme të deputetëve për shkak të dhunës së ushtruar mbi ta. Ajo apeloi deputetët e opozitës “t’i kthehen arsyes”.
“Nëse doni të diskutojmë në një parlament normal të dënoni dhunën me djegie, me sende të forta, në goditje të kryetares së parlamentit dhe deputetëve dhe patjetër jemi të hapur të ulemi jo vetëm në konferencën e kryetarëve por kudo dhe në komisione. Është e paprecedentë që Kuvendi i Shqipërisë të sulmohet dhe digjet në këtë farë feje. Siç merrni fjalën sot dhe deputetët e shumicës kanë të drejtë të marrin fjalën. Të kryejnë detyrën e tyre të parrezikuar.
Për të gjitha këto mos i dhunoni gardistët, njerëzit që janë në detyrë, mos digjni kuvendin, mos hidhni molotov ndaj institucioneve të shtetit. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë, kthejuni arsyes dhe ne do iu kthehemi tavolinave.”, deklaroi Spiropali.
“Nuk kërcënohet parlamentari nga salla parlamentare. Jemi në tempullin e demokracisë apo në kampin e refugjatëve në Gjadër. Javën e kaluar tentova të hyj në parlament, më penguan punonjësit e Gardës duke thënë se po zbatonin urdhrat. E njëjta gjë dhe sot, me gjuhë patronazhisti, me gjuhë nacionaliste duke më kujtuar identitetin tim etnik. Është kjo frymë që dëshironi të mbizotërojë. Do t’ju lutesha merreni pak më ngadalë, merreni shtruar se ka parë kjo sallë dhe trimëri të natyrave të tjera. Kemi ardhur të dialogojmë. Thërrisni konferencën e kryetarëve, nuk përjashtohen si kope bagëtish parlamentarët se kështu dashka shefi juaj. Çdo gjë ka një kufi. Lërini politikat boshe me gogolë”, tha Dule.