“L’Ouest-Eclair” ka botuar, të dielën e 11 tetorit 1914, në faqen n°4, shkrimin e “La Stampa-s” së Torinos në lidhje me hyrjen triumfale të Esat Pashë Toptanit në Durrës, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Esat Pasha në Durrës
Romë, 10 tetor.
Një rrëfim i hollësishëm i hyrjes triumfale të Esat Pashës në Durrës sapo është dërguar në “La Stampa-n” e Torinos, nga korrespodenti i kësaj gazete në Durrës.
Dy orë para skadimit të ultimatumit të tij, Esat Pasha dërgoi një çetë prej dhjetë mijë ushtarësh të armatosur për të pushtuar pikat strategjike të qytetit. Senati shqiptar menjëherë i dërgoi një grup deputetësh duke i njoftuar zgjedhjen e tij si president i qeverisë së përkohshme dhe komandant i përgjithshëm i ushtrisë; gjithashtu, po ky grup e siguroi atë për besimin e pakufizuar të kombit shqiptar.
Në mbrëmje, Esat Pasha përshkoi portat e qytetit dhe, në mes të brohoritjeve të të gjithëve, mori rrugën e tij drejt “Kouates” ku anëtarët e trupit diplomatik ishin duke pritur ta përshëndetnin.
Ai i tha Baronit Aliotti, konsullit italian: “Asnjëherë deri në ditën e vdekjes sime nuk do ta harroj se një oficer italian më shpëtoi nga vrasja, se anijet italiane më mbrojtën dhe se toka juaj e bukur italiane më ngushëlloi gjatë mërgimit tim.”
Pastaj, duke iu drejtuar konsullit austriak, Herr Krall, ai tha : “Zotëri, ngushëllimet e mia më të sinqerta në lidhje me luftën e tanishme. Unë vij nga kampi ushtarak serb në Nish, ku pashë atje njëzet mijë të burgosur austriakë. Jam i mërzitur që nuk gjej këtu paraardhësin tuaj, Baronin Lœwenthal, kam një llogari të vogël për të zgjidhur me të.”
Më në fund, ndërsa njerëzit ende brohorisnin natën, Esat Pasha hyri në pallatin mbretëror, theu drynin e dyerve me duart e tij dhe u vendos i qetë në dhomën e Princ Vidit.