VLORË- Policia e Vlorës ka prangosur një 36-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim pasi ishte “arratisur” nga vendi ku ishte duke vuajtur dënimin.


Ervis Gjini, 36 vjeç, ishte i dënuar për trafikim të lëndëve narkotike, por pas marrjes së lejes nga burgu i Fierit, ai nuk është kthyer më. Arrestimi i tij u bë në lagjen 1 “Maji” në Vlorë.

Ndaj tij rëndonte edhe akuza e “Vjedhjes”  dhe për këtë Gjykata e Shkallës së Parë  në Vlorë e kishte dënuar më parë me 2.6 vite burg.


“U largua nga vendi i vuajtjes së dënimit, kapet nga Policia e Vlorës i kërkuari: Ervis Gjini, 36 vjeç, banues në Vlorë.Kapja dhe ndalimi i tij u bë në lagjen “1 Maji” Vlorë, për arsye se ky shtetas vitin e kaluar ka qenë duke vuajtur dënimin në burgun e Fierit për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, por kur ka dalë me leje për në vendin e banimit Vlorë, ka tejkaluar afatet duke mos u kthyer më. Gjithashtu, ky shtetas ka qenë në kërkim edhe për një tjetër vepër penale në fushën e vjedhjes pasi akuzohet për “Vjedhje” të kryer në bashkëpunim më shumë se një herë, parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal, për të cilën Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë e ka dënuar me 2 vite e 6 muaj burg.


Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të tij për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Vjedhja” kryer në bashkëpunim më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 323 dhe 134/2 të Kodit Penal.”, thuhet në njoftimin e policisë.

(n.m/BalkanWeb)